Dy persona gjenden të gjallë 10 ditë pas përmbytjeve në Nepal
Ekipet e shpëtimit në Nepal kanë nxjerrë të gjallë një shtetas kinez dhe një grua, 10 ditë pasi përmbytjet shkatërruese goditën vendin, njoftuan autoritetet të shtunën.
Shtetasi kinez u shpëtua nga një tunel i një hidrocentrali, duke e çuar në tre numrin e punëtorëve të nxjerrë të gjallë nga projekti hidroenergjetik Trishuli. Dy punëtorë nepalezë ishin shpëtuar nga një tunel në hidrocentralin Trishuli 3A një ditë më parë, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Ushtria nepaleze tha se një ekip i përbashkët, i përbërë nga pjesëtarë të ushtrisë nepaleze dhe ekspertë të fatkeqësive nga Koreja e Jugut, e nxori burrin nga një tunel 225 metra të gjatë. Ai iu nënshtrua një kontrolli mjekësor për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore.
Pamjet treguan momentin kur ai u evakuua me helikopter, ndërsa një mjek ushtarak e kontrollonte gjatë fluturimit. Në një fotografi të publikuar nga televizioni shtetëror kinez CCTV, shihen dy shpëtimtarë duke e nxjerrë burrin nga tuneli.
Autoritetet thanë se rreth 900 punëtorë rezultojnë të zhdukur në 12 projekte hidroenergjetike në të gjithë Nepalin, ndërsa rreth 500 prej tyre besohet se janë bllokuar në tunele të ndryshme.
Në qytetin Nuwakot, i goditur rëndë nga përmbytjet, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë edhe një grua nga një shtëpi, njoftoi zëdhënësi i ushtrisë nepaleze. Ajo pritet të transportohet me helikopter drejt Katmandusë.
Pamjet e publikuara nga ushtria tregojnë shpëtimtarët duke e gjetur gruan të mbuluar me baltë. Ata i dhanë ujë të pijshëm përpara se ta nxirrnin në një zonë të sigurt, ku ajo u mbështoll me një batanije gri./dukagjini