Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës pas sulmeve me dronë

Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës pas sulmeve me dronë

Bota September 11, 2026 - 23:58

Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht, tubacionin kryesor  Lindje Perëndim,  një nga linjat më të rëndësishme të transportit të naftës në vend, pas raportimit të sulmeve ndaj saj, njoftoi sot agjencia shtetërore SPA, duke cituar një burim në Ministrinë e Energjisë.

Tubacioni, me gjatësi mbi 1 200 kilometra, transporton naftë nga Gjiri drejt Detit të Kuq, duke i lejuar Arabisë Saudite të shmangë Ngushticën e Hormuzit, e cila është praktikisht e bllokuar për shkak të konfliktit në rajon.

Autoritetet saudite thanë se janë marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së tubacionit, ndërsa nuk dhanë fillimisht detaje nëse infrastruktura kishte pësuar dëme.

CNN, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportoi se stacionet e pompimit përgjatë tubacionit u goditën nga dronë të lëshuar nga Iraku.

Imazhet satelitore duket se tregojnë edhe shpërthimin e zjarreve në disa pika, por ende nuk është e qartë nëse vetë tubacioni është dëmtuar.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) nuk pranoi të komentojë raportimet.

Sipas të dhënave të raportuara, tubacioni ishte sulmuar edhe në fund të korrikut nga grupe të lidhura me Iranin që veprojnë nga Iraku.

Rëndësia strategjike e këtij tubacioni është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin, pasi Arabia Saudite po e përdor atë për të ridrejtuar naftën që në kushte normale do të transportohej me cisterna përmes Gjirit dhe Ngushticës së Hormuzit.

Arabia Saudite prodhon rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, duke qenë prodhuesi i dytë më i madh i naftës në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërprerja e përkohshme e këtij korridori të rëndësishëm mund të shtojë shqetësimet mbi furnizimin global me naftë. /atsh