Gjenerali gjerman Breuer zgjidhet shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s
Gjenerali Carsten Breuer, shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, u zgjodh të shtunën si kreu i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës dhe një organ kyç këshillues për liderët e saj politikë, shkruan Reuters.
Shefat e Mbrojtjes të 32 vendeve anëtare të aleancës e zgjodhën Breuerin në një takim në Kopenhagë, bëri të ditur kryetari aktual, admirali italian Giuseppe Cavo Dragone, përmes një postimi në X. Breuer do ta marrë detyrën verën e ardhshme, duke pasuar Dragone.
“Gjykimi juaj operacional, njohuritë tuaja të thella për këtë Aleancë dhe udhëheqja juaj e Forcave të Armatosura Gjermane do t’i shërbejnë mirë NATO-s”, shkroi Dragone, duke uruar Breuerin.
“Ky është një moment sfidues për sigurinë euroatlantike dhe shefat e Mbrojtjes kanë vendosur besimin e tyre tek ju”, shtoi ai.
Komiteti Ushtarak është autoriteti më i lartë ushtarak i NATO-s, ndërsa kryetari i tij shërben si këshilltari kryesor ushtarak i kreut politik të aleancës, Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte.
Breuer do ta marrë këtë detyrë në një kohë trazirash për aleancën. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që vendet evropiane të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit, pas dekadash të udhëheqjes amerikane.