Droni rus godet një shkollë në Kiev, nxënësit shpëtojnë pa lëndime
Një dron rus ka goditur të hënën në mëngjes një shkollë në Kiev, duke shkaktuar zjarr dhe dëme materiale, ndërsa nxënësit ndodheshin në strehimore në momentin e sulmit.
Autoritetet ukrainase bënë të ditur se nuk është raportuar për nxënës të lënduar. Në vendin e ngjarjes, ekipet e shpëtimit po kontrollonin rrënojat pranë ndërtesës së dëmtuar, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë të verifikuara nga Reuters treguan momentin kur zjarri shpërtheu pas goditjes së dronit në katin e tretë.
Drejtoresha e shkollës, Valentina Horna, tha se në objekt ndodheshin më shumë se 100 nxënës në momentin e sulmit.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një urë e madhe mbi lumin Dnieper u godit gjithashtu. Ura Jugore nuk pësoi dëme të mëdha, por qarkullimi i metrosë mbi të u pezullua përkohësisht.
Sulmet vijnë në kuadër të një vale të sulmeve ajrore ruse ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Autoritetet ukrainase kanë raportuar gjithashtu për sulme ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera në kryeqytet.
Instituti i Kërkimeve Bërthamore në Kiev njoftoi se ishte goditur nga një dron, por bëri të ditur se nivelet e rrezatimit kanë mbetur normale.
Ndërkaq, një tjetër dron rus u rrëzua të hënën në Akademinë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit, ku një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën.