Gjermania feston Ditën e Bashkimit

Gjermania feston Ditën e Bashkimit

Bota October 03, 2026 - 09:10

Gjermania shënon sot Ditën e Bashkimit Gjerman, ndërsa aktivitetet qendrore kombëtare zhvillohen në Bremen, ku pritet të mblidhen drejtuesit politikë të vendit.

Dita e Bashkimit Gjerman, festë kombëtare në Gjermani, përkujton 3 tetorin 1990, kur pesë landet e ish-Gjermanisë Lindore iu bashkuan Republikës Federale të Gjermanisë, duke i dhënë fund zyrtarisht ndarjes së vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas një shërbese fetare në Katedralen e Bremenit, drejtues politikë dhe të ftuar të tjerë do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare në sallën e koncerteve “Die Glocke”.

Më shumë se 400 mijë persona pritet të marrin pjesë në festivalin publik në Bremen, i cili do të vijojë deri të dielën. Në qendër të qytetit janë ngritur dhjetëra stenda dhe skena, ndërsa janë planifikuar rreth 800 aktivitete, përfshirë koncerte falas, diskutime, ture të drejtuara dhe ekspozita.

Festimet zhvillohen nën moton ”Shumë forca një vend”.

Bremeni është mikpritës i ceremonive qendrore këtë vit pasi mban presidencën e Bundesratit, dhomës së sipërme të parlamentit gjerman.

Më shumë se tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit, pasojat e ribashkimit vijojnë të jenë objekt debati në Gjermani. Dallimet mes lindjes dhe perëndimit të vendit mbeten të dukshme, veçanërisht në të ardhura dhe pasuri, ndërsa ndryshimet e thella ekonomike që pasuan ribashkimin vazhdojnë të ndikojnë në pjesën lindore të vendit.

Disa qytetarë nga Gjermania Lindore shprehen gjithashtu se kanë pasur ndikim dhe përfaqësim të pamjaftueshëm në institucionet kombëtare.

Festimet e Ditës së Bashkimit Gjerman shërbejnë kështu si një moment për të kujtuar ribashkimin e vendit, por edhe për të reflektuar mbi sfidat që kanë mbetur më shumë se 30 vjet pas bashkimit të Gjermanisë./atsh