Vdekja e dyshuar nga murtaja në Rusi, sa duhet të shqetësohemi?
Foto: AFP

Vdekja e dyshuar nga murtaja në Rusi, sa duhet të shqetësohemi?

Bota October 06, 2026 - 15:12

Vdekja e një teknikeje laboratori në Rusi ka ngritur dyshime për një infektim me murtajën pneumonike, por shkaku mbetet i pakonfirmuar.

Rel-i bisedoi me Brendan Wren, profesor i patogjenezës mikrobike në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, për mënyrën e përhapjes së sëmundjes, trajtimin dhe rrezikun për publikun.

Çfarë ndodhi?

Darya Shipilova, një teknike laboratori 28-vjeçare në Institutin Kërkimor kundër Murtajës në Irkutsk të Rusisë, vdiq në spital më 2 tetor.

Raportimet për një aksident të mundshëm në laborator kanë ngritur dyshime se ajo mund të jetë infektuar me murtajën pneumonike.

Mediumi i pavarur siberian Lyudi Baikala raportoi se Shipilova kishte thyer aksidentalisht një epruvetë që përmbante bakterin e murtajës gjatë punës më 25 shtator.

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar publikisht këtë version të ngjarjes.

Agjencia ruse e shëndetit publik, Rospotrebnadzor, tha se ajo ishte diagnostikuar me “pneumoni me shkak të panjohur” dhe se analizat shtesë nuk kishin zbuluar mikroorganizma të lidhur me punën e saj.

Agjencia tha gjithashtu se në institut nuk ishte regjistruar asnjë aksident me mikroorganizma patogjenë.

Më shumë se 60 punonjës të institutit janë izoluar brenda tij që nga 2 tetori, sipas burimeve që folën për Siberia.Realities të Radios Evropa e Lirë.

Sipas raportimeve mediatike, rreth 200 persona që mund të kenë pasur kontakt me Shipilovën janë vendosur nën vëzhgim mjekësor ose në izolim.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po e monitorojnë situatën. Më 5 tetor, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se nuk e konsideronte atë shkak për alarm, por se kërkonte vëmendje dhe monitorim.

Deri më tani, nuk ka prova të konfirmuara publikisht për transmetim të infeksionit mes banorëve të Irkutskut.

Por, sa lehtë përhapet murtaja pneumonike, e cila prek mushkëritë? Sa e rrezikshme është sot dhe pse laboratorët punojnë me bakterin që e shkakton atë?

Radio Evropa e Lirë: Nëse bëhet fjalë për murtajë pneumonike, si përhapet ajo nga një person te tjetri dhe sa lehtë mund të përhapet?

Brendan Wren: Murtaja pneumonike transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes, por nuk është veçanërisht ngjitëse dhe sigurisht nuk është aq transmetuese sa virusi SARS, i cili përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes.

Incidenti fatkeq në Rusi është qartësisht një infektim i izoluar në kuadër të punës dhe deri më tani nuk është transmetuar te ndonjë person tjetër, kështu që nuk bëhet fjalë për një shpërthim. Persona të tjerë mund të kenë qenë në kontakt me personin e infektuar, prandaj izolimi dhe vëzhgimi i personave potencialisht të prekur është një masë e arsyeshme.

Hulumtim i REL-it: Ishulli rus mund të fshehë sekrete të armëve biologjike   

Radio Evropa e Lirë: Sa e rrallë dhe sa e rrezikshme është murtaja pneumonike? A mund të trajtohet në mënyrë efektive?

Wren: Është një infeksion kaq i shpejtë dhe vdekjeprurës, saqë mund të shkaktojë vdekjen brenda 24 orësh. Pra, megjithëse mund të jenë në dispozicion antibiotikë, mund të jetë tepër vonë nëse ata administrohen pasi infeksioni ka përparuar. Ka gjithashtu një numër në rritje të raportimeve për shtame të Yersinia pestis rezistente ndaj antibiotikëve, agjentit bakterial që shkakton murtajën. Kështu, disa antibiotikë mund të mos funksionojnë.

Në mbarë botën, ka rreth 1.000 raste të murtajës çdo vit. Ajo është endemike në pjesë të Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Pse do të punonte një laborator me bakterin e murtajës në radhë të parë? Çfarë studiojnë ose synojnë të arrijnë laboratorë të tillë?

Wren: Në përgjithësi, të zhvillojnë vaksina më të mira që mund të përdoren në rajonet e botës ku murtaja është endemike. Nëse Yersinia pestis do të përdorej si armë biologjike, një vaksinë për personelin ushtarak mund të ishte e dëshirueshme.

Radio Evropa e Lirë: Duke u bazuar në atë që dihet publikisht deri tani, sa shqetësues është ky rast? A paraqet ai ndonjë rrezik domethënës për publikun e gjerë?

Wren: Sipas mendimit tim, ky është një rast i izoluar. Ne nuk jetojmë më në kohët mesjetare dhe murtaja nuk është veçanërisht e transmetueshme në kohët moderne. Duket se autoritetet po marrin masa të arsyeshme për ta përmbajtur këtë rast të vetëm të infektimit të marrë në laborator. /REL