Zelensky: 18 persona humbën jetën nga raketa ruse që goditi një ndërtesë banimi
Presidenti i Ukrainës, Volidymyr Zelensky ka njoftuar se 18 persona kanë humbur jetën pasi një raketë ruse ka goditur një ndërtesë banimi në Pryluky.
Në mesin e viktimave, sipas Zelenskyt janë edhe katër fëmijë.
Ai ka thënë se po vijojnë punët për pastrimin e rrënojave në vendin ku ka ndodhur goditja.
“Ngushëllimet e mia për të gjitha familjet dhe të dashurit e tyre. Dhjetëra njerëz janë plagosur, përfshirë shtatë fëmijë. Të gjitha shërbimet e emergjencës janë angazhuar dhe po punojnë në vendngjarje. Pesëmbëdhjetë persona janë shpëtuar, mes tyre një fëmijë. Ka ende persona me të cilët nuk është arritur të vendoset kontakt.”, ka thënë Zelensky.
Ai ka thënë se rusët e dinë mirë se po godasin qytete të zakonshme dhe jetë njerëzish të zakonshëm.
“Dhe vazhdimi i sulmeve me raketa ndaj Ukrainës, ndaj popullit dhe fëmijëve tanë, është një zgjedhje e qëllimshme për të përdorur terrorin. Kjo është pikërisht ajo që zgjedh Moska, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona dhe të partnerëve për ta afruar paqen.”, ka thënë ai.
Sipas Zelenskyt, kjo është një arsye e qartë pse presioni ndaj Rusisë duhet të jetë më i madh dhe pse nevojiten më shumë paketa mbrojtëse për Ukrainën.
“Është e rëndësishme që liderët ta kuptojnë këtë. Është e rëndësishme që bota të mos hesht sot.”, ka thënë ai.