Kryeministri holandez dhe partneri i tij presin fëmijën e parë përmes një nëne surrogate

Kryeministri holandez dhe partneri i tij presin fëmijën e parë përmes një nëne surrogate

Bota October 20, 2026 - 14:14

Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, dhe partneri i tij, Nicolas Keenan, kanë njoftuar se janë në pritje të fëmijës së tyre të parë, i cili pritet të lindë në vitin 2027 përmes një nëne surrogate.

Lajmin e kanë bërë të ditur të hënën përmes një postimi në Instagram, ku kanë publikuar edhe një fotografi duke mbajtur në duar një fotografi të ekografisë së foshnjës, transmeton Zeri.info.

“Dikush shumë i veçantë është rrugës. Shihemi në vitin 2027, vogëlush”, kanë shkruar ata.

Jetten dhe Keenan, një lojtar argjentinas i hokejit në fushë, kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj dhurueses së vezës dhe gruas që po e bart shtatzëninë, duke theksuar se pa ndihmën e tyre ëndrra për të pasur një fëmijë nuk do të bëhej realitet.

Sipas partisë së Jettenit, D66, shtatzënia është bërë e mundur falë dy grave holandeze, të njohura të çiftit, të cilat kanë familjet e tyre. Partia ka sqaruar se bëhet fjalë për një marrëveshje jo komerciale dhe se gratë kanë vendosur t’i ndihmojnë çiftit pa motive financiare.

Në Holandë, pagesa për një nënë surrogate është e ndaluar. Sipas D66, procesi është realizuar në përputhje me rregullat përkatëse dhe përmes trajtimit të fertilitetit me fekondim të asistuar.

Jetten, 39 vjeç, u bë kryeministër i Holandës këtë vit dhe është kryeministri më i ri në historinë e vendit. Ai dhe Keenan ishin fejuar në nëntor të vitit 2024, ndërsa planet për martesë i kishin shtyrë pas marrjes së detyrës së kryeministrit.

Sipas Reuters, Jetten planifikon të marrë disa ditë pushim kur të lindë fëmija, në mënyrë që të jetë pranë familjes së tij. /Zëri