Në Serbi sot votohet për zgjedhjet parlamentare

Në Serbi sot votohet për zgjedhjet parlamentare

Bota October 25, 2026 - 08:04

Në Serbi, sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas një fushate të shoqëruar me tensione politike, akuza të ndërsjella dhe ndarje të thella në shoqëri.

Në Serbi, në orën 7:00, kanë filluar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat qytetarët do të zgjedhin 250 deputetët e përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë. Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 20:00.

Të drejtë vote kanë 6.451.292 votues të regjistruar, ndërsa votimi do të zhvillohet në 8.392 qendra votimi, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit. Në 18 listat zgjedhore janë propozuar gjithsej 2.418 kandidatë për 250 vende në Kuvendin e Serbisë.

Pas muajsh protestash dhe përplasjesh politike, zgjedhjet e sotme pritet të tregojnë se sa kanë ndryshuar raportet e forcave politike në vend.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare pas protestave masive studentore dhe qytetare, të cilat nisën pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestat, të cilat fillimisht kërkonin përgjegjësi institucionale për tragjedinë, me kalimin e kohës u shndërruan në një lëvizje më të gjerë politike.

Edhe pse në garë marrin pjesë 18 lista, vëmendja kryesore është përqendruar te blloku i Aleksandër Vuçiqit, i cili synon të ruajë pushtetin, dhe Lista Studentore, e cila është shfaqur si një nga sfiduesit kryesorë të partisë në pushtet.

Tubimet përmbyllëse të fushatës dëshmuan mobilizimin e mbështetësve, veçanërisht në tubimin e studentëve në Beograd.

Përkrahësit e Listës Studentore shpresojnë që pakënaqësia e shprehur gjatë protestave të reflektohet edhe në kutitë e votimit, ndërsa blloku qeverisës kërkon vazhdimësinë e qeverisjes.

Megjithatë, pasiguria nuk lidhet vetëm me rezultatin zgjedhor.

Organizatat vendase dhe misionet ndërkombëtare të vëzhgimit kanë ngritur shqetësime për kushtet zgjedhore, presionet ndaj votuesve, pabarazinë në përfaqësimin mediatik dhe incidentet gjatë fushatës.

Mbi 16 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë

Një nga veçoritë e këtyre zgjedhjeve është numri i madh i vëzhguesve.

Sipas statistikave të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, janë regjistruar 16.176 vëzhgues, pothuajse trefishi i numrit të vëzhguesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023.

Prej tyre, 15.539 janë nga organizatat vendase, ndërsa 637 nga organizatat dhe institucionet e huaja.

Nga misionet ndërkombëtare, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka regjistruar 291 vëzhgues.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së do të ketë 80 vëzhgues, ndërsa procesin do ta përcjellin edhe delegacionet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja.

Prania e vëzhguesve ndërkombëtarë është bërë edhe pjesë e polemikave politike.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Serbisë, Ana Bërnabiq, e ka cilësuar si të njëanshme përbërjen e delegacionit të Parlamentit Evropian.

Komisioni Evropian ka reaguar duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv dhe transparent me misionet ndërkombëtare të vëzhgimit.

Nga Brukseli kanë rikujtuar se zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente janë në themel të demokracisë evropiane dhe duhet të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërkohë, organizata vendase CRTA ka raportuar për presione ndaj votuesve, veçanërisht ndaj të punësuarve në sektorin publik, si dhe për pabarazi në përfaqësimin e pjesëmarrësve politikë në media.

Për këtë arsye, vëmendja e vëzhguesve nuk do të përqendrohet vetëm te votimi dhe numërimi i votave, por edhe te respektimi i procedurave zgjedhore dhe mundësia që qytetarët të votojnë lirshëm.

Vlerësimet paraprake të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit pritet të publikohen më 26 tetor, një ditë pas zgjedhjeve.

Për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, listat zgjedhore duhet të fitojnë të paktën tre për qind të votave, ndërsa për listat e pakicave kombëtare vlejnë rregulla të veçanta.

Për formimin e qeverisë së re nevojitet mbështetja e të paktën 126 deputetëve.

Kjo do të thotë se lista që fiton më së shumti vota nuk e ka automatikisht të garantuar edhe formimin e qeverisë.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, do të pasojë konstituimi i Kuvendit dhe procesi i formimit të institucioneve të reja.

Këto zgjedhje do të jenë një provë e rëndësishme për raportin e forcave politike në Serbi, pas një periudhe të gjatë protestash, tensionesh dhe kërkesash për ndryshime politike e institucionale.