Gjykata e Apelit pezullon rihapjen e Lotarisë Amerikane për vitin 2027

Gjykata e Apelit pezullon rihapjen e Lotarisë Amerikane për vitin 2027

Bota October 30, 2026 - 19:04

Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pezulluar vendimin që detyronte administratën amerikane të rihapte Lotarinë e Kartës së Gjelbër për vitin 2027, duke lënë të paqartë se kur do të nisë regjistrimi për aplikantët, raportoi “Bloomberg Law”.

Vendimi u mor dje , pasi qeveria amerikane kërkoi pezullimin e urdhrit të një gjykate federale në Kaliforni, e cila më herët kishte detyruar Departamentin amerikan të Shtetit (DASH), të shpallte datat e regjistrimit deri më 29 tetor dhe të hapte aplikimet më 1 nëntor.

Me vendimin e ri, këto afate pezullohen ndërsa shqyrtohet ankimi i qeverisë amerikane.

Çështja gjyqësore nisi në gusht 2026, kur kompania ligjore amerikane “Red Eagle Law” paditi Departamentin amerikan të Shtetit për mosnisjen e regjistrimeve për programin e vitit 2027.

Kompania argumentoi se pezullimi i pacaktuar i lotarisë ishte i paligjshëm dhe se autoritetet nuk kishin dhënë një shpjegim për moszbatimin e programit.

Më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta vendosi në favor të kërkesës dhe urdhëroi rihapjen e programit.

Sipas vendimit, regjistrimet duhej të hapeshin më 1 nëntor, të qëndronin të hapura për aplikime dhe personat e përzgjedhur duhej të njoftoheshin deri më 3 dhjetor.

Megjithatë, administrata amerikane e kundërshtoi këtë vendim dhe kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës së Apelit.

Në vendimin e 29 tetorit, trupi gjykues prej tre gjyqtarësh, argumentoi se kompania “Red Eagle Law” nuk kishte treguar se interesat e saj ekonomike, lidheshin drejtpërdrejt me qëllimin e ligjit që rregullon Lotarinë e Kartës së Gjelbër.

Gjykata vlerësoi se programi është krijuar për të nxitur emigracionin nga vendet me numër të ulët emigrantësh në SHBA dhe jo për të siguruar të ardhura për kompanitë ligjore që përfaqësojnë aplikantët.

Megjithatë, gjyqtarët theksuan se vendimi nuk duhej interpretuar si miratim i mosveprimit të Departamentit të Shtetit për hapjen e regjistrimeve.

Ata pranuan kërkesën e qeverisë për pezullimin e urdhrit të mëparshëm deri në shqyrtimin e mëtejshëm të ankimit.

Lotaria Amerikane, e njohur zyrtarisht si Programi i Vizave të Diversitetit, parashikon dhënien e deri në 55 mijë vizave të emigrimit çdo vit, për qytetarët e vendeve që kanë një numër historikisht të ulët emigrantësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për programin e vitit 2027, regjistrimet nuk janë hapur ende. Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar më parë se do të ndryshonte procedurat e aplikimit, por nuk kishte publikuar datat e reja të regjistrimit.

Pezullimi i fundit nuk përbën një anulim përfundimtar të programit dhe as shfuqizim të ligjit që e parashikon atë.

Ai pengon zbatimin e urdhrit gjyqësor për rihapjen e lotarisë, ndërsa çështja vazhdon të shqyrtohet në gjykatë. /atsh