SHBA-ja sulmon ishullin iranian, por Trumpi minimizon mundësinë e një lufte të re
Shtetet e Bashkuara sulmuan më 2 nëntor ishullin strategjik iranian të Keshmit, konfirmuan zyrtarët amerikanë.
Ky është sulmi i fundit në një varg operacionesh ushtarake kundër Iranit, të cilat nuk u bënë publike më parë.
Operacionet vazhduan, ndonëse presidenti amerikan, Donald Trump, e minimizoi mundësinë e shpërthimit të një lufte të re në shkallë të gjerë.
Sulmet ndodhën vetëm disa orë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, më 3 nëntor, dhe në një kohë kur Trump mban një qëndrim më të butë publik ndaj Iranit.
Pasi për javë të tëra paralajmëroi se SHBA-ja mund të niste një ofensivë të re ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve, Trump, të hënën, e përjashtoi mundësinë e një sulmi të menjëhershëm dhe sinjalizoi se mund të arrihej një marrëveshje përmes diplomacisë.
I pyetur nga gazetarët nëse po shqyrtonte mundësinë e sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve, Trump u përgjigj: “Jo”.
Megjithatë, zyrtarë të administratës amerikane i thanë gazetës The Wall Street Journal se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe se po shqyrton mundësi të ndryshme.
Kjo tregon një dallim mes deklaratave publike të presidentit, që sugjerojnë ulje të tensioneve me Iranin, dhe operacioneve ushtarake amerikane që vazhdojnë.
Sipas gazetës The Wall Street Journal, e cila citon zyrtarë amerikanë, sulmi i fundit ishte pjesë e një serie sulmesh të kufizuara që SHBA-ja kreu në fshehtësi kundër Iranit, gjatë javëve të fundit.
Disa zyrtarë i përshkruan këto operacione si masa mbrojtëse, që synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Një zyrtar amerikan i tha gazetës se administrata kishte vendosur qëllimisht që të mos i bënte publike këto operacione, për të shmangur përshtypjen se SHBA-ja po përgatitej të rifillonte një fushatë të gjerë ushtarake.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, raportoi se më 2 nëntor ishin dëgjuar shpërthime në ishullin Keshm.
Pentagoni i ridrejtoi pyetjet e Radios Evropa e Lirë te Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), por as ajo nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Një zyrtar amerikan tha se administrata po ndërmerr vazhdimisht masa për t’iu përgjigjur kërcënimeve ndaj forcave amerikane në rajon.
Më vonë, zyrtarë të lartë amerikanë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se forcat e SHBA-së kishin kryer sulme të kufizuara në ishullin iranian të Keshmit.
Ata i cilësuan sulmet si operacione mbrojtëse, që kishin për qëllim mbrojtjen e forcave dhe mjeteve amerikane në rajon.
Sipas zyrtarëve, sulmet u kryen si kundërpërgjigje ndaj të shtënave iraniane në drejtim të një avioni amerikan.
Ishulli strategjik në Ngushticën e Hormuzit
Ishulli Keshm ndodhet në hyrje të Ngushticës së Hormuzit - një prej rrugëve më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe të burimeve të tjera të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit
Rreth 20 për qind e sasisë së përgjithshme të naftës së lëngshme që shfrytëzohet nëpër botë qarkullon përmes Ngushticës së Hormuzit, një grykë kritike ndërmjet Omanit dhe Iranit. Transporti përmes ngushticës ka rënë në mënyrë drastike për shkak të konfliktit në rajon.

Sipas gazetës The Wall Street Journal, në ishull ndodhen një bazë e madhe nëntokësore raketore, një bazë detare dhe një impiant i madh për shndërrimin e ujit të detit në ujë të pijshëm.
Ishulli ka qenë objektiv i sulmeve amerikane edhe gjatë përplasjeve të mëparshme ushtarake, ndërsa zyrtarët amerikanë e kanë diskutuar edhe mundësinë e marrjes së tij nën kontroll.
Jason Brodsky, drejtor për politika në organizatën jofitimprurëse “United Against Nuclear Iran”, tha për Radion Evropa e Lirë se sulmet e fundit synojnë të dobësojnë aftësinë e Teheranit për të penguar transportin detar, dhe jo domosdoshmërisht të ndryshojnë vendimet politike të udhëheqjes iraniane.
“SHBA-ja synon të dobësojë aftësitë e Iranit për të kërcënuar Ngushticën e Hormuzit”, tha Brodsky.
“Qëllimi nuk është domosdoshmërisht të ndryshohen llogaritjet e udhëheqjes iraniane, por t’i kufizohen regjimit iranian mundësitë për të vëzhguar dhe për të penguar anijet tregtare. Dhe kjo është, në thelb, në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, shtoi ai.
Operacioni në ishullin Qeshm vjen pas një serie sulmesh të kufizuara amerikane ndaj objektivave ushtarake dhe detare iraniane.
Më herët, forcat amerikane kanë goditur pika të lëshimit të raketave, kanë sulmuar një anije tradicionale iraniane disa ditë më parë, si dhe një anije tregtare që, disa javë më parë, ka bërë përpjekje të kalojë përmes bllokadës së vendosur nga SHBA-ja ndaj tregtisë së Iranit.
Trump zbut retorikën, diplomacia mbetet mundësi
Sulmet ndodhin në kohën kur Uashingtoni dhe Teherani janë duke dhënë sinjale për rifillimin e përpjekjeve diplomatike, ndonëse përplasja ushtarake mes tyre mbetet e pazgjidhur.
Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti JD Vance kanë lënë të kuptohet së voni se negociatat për çmontimin e programit bërthamor të Iranit, mund të çojnë në marrëveshje.
Trump shkroi gjithashtu në rrjetet sociale se rënia e çmimeve të naftës pasqyron bindjen në rritje se nuk do të ketë një luftë të re me Iranin.
Vance deklaroi se Uashingtoni ka shënuar përparim në negociata.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, u tha gazetarëve në Teheran, më 2 nëntor, se sa i përket arritjes së një marrëveshjeje të mundshme, “topi është në fushën e SHBA-së”.
“Kërkesat tona janë paraqitur shumë qartë dhe në mënyrë transparente. Kërkesat e Iranit janë të arsyeshme dhe logjike”, tha Baghaei.
Megjithatë, zyrtarët iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Mojtaba Khamenei, paralajmëruan se Teherani do të kundërpërgjigjet me sulme brenda dhe jashtë Lindjes së Mesme, nëse Uashingtoni e rifillon konfliktin.
Për javë të tëra, Trump paralajmëroi se SHBA-ja mund t’u kthehej operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, pas zgjedhjeve të mesmandatit.
Zyrtarë të lartë të administratës diskutuan mundësinë e sulmeve të tjera ajrore dhe i paraqitën presidentit disa alternativa, përfshirë ashpërsimin e sanksioneve ekonomike dhe zgjerimin e bllokadës ndaj tregtisë iraniane.
Sipas gazetës The Wall Street Journal, komandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), admirali Brad Cooper, vizitoi Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar për ta informuar Trumpin mbi zhvillimet e konfliktit.
Gjatë javëve të fundit, ushtria amerikane dërgoi gjithashtu sisteme shtesë të mbrojtjes raketore dhe municione në rajon, duke krijuar kushtet për operacione ushtarake potencialisht më të gjera.
Sipas gazetës The Wall Street Journal, zyrtarët amerikanë u thanë gjithashtu vendeve të Gjirit Persik të përgatiten për një fushatë të shkurtër ushtarake, por intensive, që mund të nisë menjëherë pas zgjedhjeve.
Analistët: Pak gjasa për kundërpërgjigje të ashpër nga Irani
Pavarësisht rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit, disa analistë vlerësojnë se Irani nuk ka gjasa t’i përgjigjet me një sulm të madh goditjes së fundit amerikane.
Brett Erickson, analist për Lindjen e Mesme dhe ekspert i sanksioneve në kompaninë “Obsidian Risk Advisors”, tha për Radion Evropa e Lirë se sulmet janë të rrezikshme, por nuk përbëjnë ndonjë ndryshim të madh në qasjen ushtarake të SHBA-së.
“Edhe pse me këto sulme të fundit amerikane po luhet me zjarrin, ato nuk dallojnë shumë nga operacionet e kufizuara ushtarake që kemi parë gjatë javëve të fundit”, tha Erickson.
“Irani është treguar mjaft i përmbajtur në reagimet ndaj incidenteve të ngjashme dhe nuk shoh ndonjë arsye të fortë për të besuar se ky sulm do t’i ndryshojë rrënjësisht llogaritjet strategjike të Teheranit”, shtoi ai.
Gregory Brew, ekspert i naftës dhe analist në kompaninë “Eurasia Group”, me seli në Nju Jork, tha për Radion Evropa e Lirë se sulmi i fundit dhe raportimet e tjera të kohëve të fundit tregojnë se Uashingtoni po përpiqet, në mënyrë aktive, ta sfidojë kontrollin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Sipas tij, SHBA-ja nuk kufizohet më vetëm në pengimin e raketave dhe dronëve iranianë, por godet edhe objektiva iraniane përgjatë bregdetit.
“Fakti që SHBA-ja nuk dëshiron t’i bëjë publike këto sulme, tregon se ajo po përpiqet të shmangë përshtypjen se synon përshkallëzimin e konfliktit”, tha Brew.
“Edhe më interesante është gatishmëria e Iranit për t’i pranuar këto goditje pa u kundërpërgjigjur. Duket se të dyja palët janë të vetëdijshme për rreziqet e përshkallëzimit, ndërsa përplasen për kontrollin e Ngushticës”, shtoi ai. /REL