Gazetarja e telefonon Trumpin gjatë transmetimit live, ja ç’thotë presidenti amerikan pas zgjedhjeve [video]

Gazetarja e telefonon Trumpin gjatë transmetimit live, ja ç’thotë presidenti amerikan pas zgjedhjeve [video]

Bota November 05, 2026 - 09:14

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me demokratët në Kongres, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Në një telefonatë të papritur me gazetaren e Politico-s, Dasha Burns, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të martën në mbrëmje, Trumpi pranoi se partia e tij nuk kishte arritur të mobilizonte votuesit.

I pyetur se çfarë shkoi keq për republikanët në këto zgjedhje, presidenti amerikan u përgjigj se ai vetë nuk ishte kandidat në fletën e votimit dhe se partia nuk kishte arritur të nxiste pjesëmarrjen e mbështetësve të saj.

“Unë nuk isha kandidati dhe ne nuk mobilizuam votuesit. Nëse do të kisha qenë në fletën e votimit, do të kishim fituar. Do të kishim fituar gjithçka shumë lehtë”, deklaroi Trumpi.

Gazetarja i kujtoi presidentit se ai u kishte bërë thirrje qytetarëve të votonin, sikur të ishte vetë kandidat. Trumpi pranoi se e kishte bërë këtë, por argumentoi se votuesit nuk ishin të kënaqur me disa prej kandidatëve republikanë.

Një nga deklaratat më të papritura të tij lidhej me mundësinë e bashkëpunimit me Kongresin e ri, ku demokratët kanë fituar kontrollin. Trumpi u shpreh se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me kundërshtarët politikë për çështje që lidhen me interesin e vendit.

“Ne do të punojmë me demokratët për t’i rregulluar gjërat për vendin tonë. Nuk dua të rri aty për dy vjet dhe të vë veton për gjithçka”, tha presidenti amerikan, duke zbuluar se kishte kontaktuar tashmë me disa zyrtarë demokratë.

I pyetur nëse do të shqyrtonte mundësinë e një marrëveshjeje me demokratët për çështjen e emigracionit, Trumpi tha se do të merrte në konsideratë çdo propozim që do ta vlerësonte të përshtatshëm dhe të dobishëm për vendin.

Megjithatë, presidenti amerikan shmangu identifikimin e personave përgjegjës për humbjen zgjedhore të republikanëve dhe këmbënguli se vendimi i tij për ndërhyrjen ushtarake në Iran kishte qenë i drejtë.