Evropa i bashkohet negociatave për Ukrainën, takimi mbahet javën e ardhshme

Evropa i bashkohet negociatave për Ukrainën, takimi mbahet javën e ardhshme

Bota November 08, 2026 - 14:13

Përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë në bisedimet për Ukrainën, të cilat pritet të zhvillohen javën e ardhshme në Abu Dhabi, ka bërë të ditur të dielën ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot.

Në një intervistë për radion franceze RTL, Barrot ka konfirmuar se Franca do të jetë e pranishme në këto diskutime, por nuk ka zbuluar ende se kush do ta përfaqësojë vendin.

“Evropianët do të përfaqësohen në nivel të lartë. Franca do të jetë në Abu Dhabi për të marrë pjesë në këto diskutime”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, i dërguari amerikan, Steve Witkoff, ka bërë të ditur se Uashingtoni synon të mbledhë delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, më 10 dhe 11 nëntor.

Në fokus të takimeve pritet të jenë përpjekjet për përfundimin e luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës, marrëveshjet e sigurisë pas luftës dhe ulja e tensioneve.

Bisedimet për Ukrainën kanë ngecur që nga nisja e sulmeve SHBA-Izrael kundër Iranit, më 28 shkurt të këtij viti.