Franca rrit pagën minimale në mbi 1500 euro nga 1 dhjetori
Qeveria franceze ka njoftuar rritjen e pagës minimale me 1,6%, duke filluar nga 1 dhjetori 2026, çka do ta çojë atë në rreth 1 502 euro neto në muaj.
Vendimi u bë i ditur nga ministri i Punës, Jean-Pierre Farandou, pas një konference sociale të zhvilluar në Paris, ku kryeministri Sébastien Lecornu mblodhi përfaqësuesit e sindikatave dhe të organizatave të punëdhënësve për të diskutuar rritjen e pagave dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Sipas qeverisë, rritja do të zbatohet një muaj më herët se afati i zakonshëm, pasi rivlerësimi i pagës minimale ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 janar 2027.
Paga minimale aktuale është 1 477,93 euro neto në muaj. Me rritjen e re, punonjësit që paguhen me këtë nivel do të përfitojnë rreth 24 euro më shumë në muaj.
Ministri Farandou deklaroi se, me këtë rritje, paga minimale do të jetë rritur gjithsej me 5,3% gjatë vitit 2026, duke kaluar për herë të parë kufirin prej 1 500 eurosh neto në muaj.
Megjithatë, masa është kundërshtuar nga disa sindikata, të cilat e konsiderojnë rritjen të pamjaftueshme përballë kostos së jetesës.
Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT) kishte kërkuar një rritje prej 10%, ndërsa sindikata CFDT kishte propozuar një shtesë prej 100 eurosh në muaj.
Qeveria synon gjithashtu të nxisë negociata të reja mes punëdhënësve dhe sindikatave në sektorë të ndryshëm, me qëllim rritjen e pagave edhe për punonjësit që marrin më shumë se paga minimale.
Rritja e pagës minimale është pjesë e paketës së masave të qeverisë franceze për të përmirësuar fuqinë blerëse, në një periudhë kur shqetësimet për koston e jetesës dhe nivelin e pagave kanë nxitur protesta dhe kërkesa të vazhdueshme nga sindikatat. /atsh