Zelensky: SHBA-ja përmendi tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO
Foto: Reuters

Zelensky: SHBA-ja përmendi tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO

Bota November 14, 2026 - 23:55

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se negociatorët amerikanë kanë pyetur për herë të parë nëse Ukraina do t'i tërhiqte forcat e saj të mbetura nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO.

“Amerikanët pyetën: A do të largohet Ukraina nga Donbasi nëse [Ukraina] anëtarësohet në NATO?”, u tha Zelensky gazetarëve më 13 nëntor.

Ai shtoi se vendi i tij kundërshton në parim heqjen dorë nga territoret e veta, por do të shqyrtonte mundësinë që një paketë gjithëpërfshirëse e garancive të sigurisë t'i paraqitej publikut ukrainas, nëse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të NATO-s konfirmojnë garanci konkrete.

Donbasi është një rajon në lindje të Ukrainës, që përfshin rajonet administrative të Donjeckut dhe Luhanskut. Rusia ka pushtuar pjesë të mëdha të tij që nga viti 2014 dhe, pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, pretendoi zyrtarisht aneksimin e të dy rajoneve.

Duke shpjeguar përgjigjen e tij ndaj propozimit, Zelensky tha se do t'ua paraqiste qytetarëve ukrainas përparësitë dhe mangësitë e një marrëveshjeje të tillë të mundshme.

“Por na duhen hollësi konkrete, të cilat ende nuk janë në dispozicion, dhe e gjithë kjo është në diskutim”, shtoi ai. Zelensky theksoi se nuk është në pozitë që të marrë i vetëm një vendim të tillë.

Megjithatë, presidenti ukrainas e bëri të qartë se vendi i tij nuk do t'i njohë zonat e pushtuara nga Rusia si territore ruse.

Zelensky nuk përmendi rrethanat e sakta në të cilat ishte paraqitur kjo ide. Ai tha se propozimi kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ende nuk ka komentuar pretendimin e presidentit ukrainas.

Më herët, zyrtarët amerikanë kishin thënë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ishte në tryezën e diskutimeve, por kishin vënë në dukje se vendi mund të merrte garanci sigurie të krahasueshme me ato që ofron anëtarësimi në Aleancë.

Rusia ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Megjithatë, dorëzimi i të gjithë rajonit të Donjeckut nën kontrollin e Rusisë ka qenë një nga kërkesat kryesore të Moskës për t'i dhënë fund luftës.

Deklarata e Zelenskyt vjen pas përfundimit të bisedimeve trepalëshe mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës, të zhvilluara në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor.

Pas bisedimeve, të dërguarit diplomatikë të presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, u takuan veçmas me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe me Zelenskyn.

Rundi i fundit i bisedimeve nuk solli ndonjë përparim në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës, e cila po i afrohet vitit të pestë. Të dyja palët konfirmuan vetëm se do të nisin përgatitjet për një shkëmbim të madh të të burgosurve. /REL