CNN: Inteligjenca amerikane dyshon se Irani po planifikon sulm me bombë radioaktive në Washington
Foto: AFP/Getty Images

CNN: Inteligjenca amerikane dyshon se Irani po planifikon sulm me bombë radioaktive në Washington

Bota November 17, 2026 - 13:03

Shërbimet e inteligjencës amerikane kanë zbuluar informacione se Irani po zhvillon plane për të sulmuar zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump në Washington, përmes një bombe të ashtuquajtur “dirty bomb” (bombë radioaktive) ose armëve kimike.

Lajmi është raportuar nga CNN, duke cituar shtatë zyrtarë amerikanë të njohur me informacionet e inteligjencës, transmeton Zeri.info.

Sipas raportimit, planet e dyshuara iraniane përfshijnë lokacione dhe objektiva konkretë në kryeqytetin amerikan, çka ka nxitur autoritetet amerikane të zhvillojnë takime dhe të përgatisin masa parandaluese.

Megjithatë, burimet e CNN-it theksojnë se këto plane për momentin konsiderohen si përpjekje të Iranit për të krijuar alternativa të mundshme sulmi dhe jo si dëshmi se një sulm është i pashmangshëm.

Madje, brenda institucioneve amerikane ka mospajtime lidhur me besueshmërinë e informacioneve dhe kapacitetet e Iranit për të realizuar një operacion të tillë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, ka deklaruar se administrata po monitoron të gjitha kërcënimet e mundshme, por ka theksuar se aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan.

“Po monitorojmë çdo kërcënim të mundshëm, por në këtë moment nuk ka kërcënime të besueshme ndaj vendit tonë”, thuhet në deklaratën e saj.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara ka hedhur poshtë akuzat lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve kimike, duke i cilësuar ato si pretendime të rreme dhe të fabrikuara. Ai nuk ka komentuar drejtpërdrejt informacionet për një plan të mundshëm me bombë radioaktive. /Zëri