Gjermania i jep Ukrainës 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake
Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 300 milionë dollarë, me fokus në forcimin e mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase përpara dimrit.
Lajmi u bë i ditur të martën nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ndihma do të jepet në kuadër të nismës PURL, përmes së cilës vendet aleate financojnë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën. Në këtë paketë, Gjermania po bashkëpunon me Norvegjinë.
Pistorius deklaroi se Rusia po shton sulmet ajrore për shkak të mungesës së përparimit në frontin e luftës, duke theksuar se Ukraina ka nevojë për mbështetje të shpejtë dhe efektive për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Paketa përfshin raketa për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, si dhe sisteme IRIS-T dhe raketa përkatëse, të cilat Berlini i kishte paralajmëruar më herët.
Me këtë angazhim të ri, Gjermania synon të ndihmojë Ukrainën në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të popullsisë civile përballë sulmeve të vazhdueshme ruse. /abcnews