217 ditë në det dhe zero kontakt me botën, nëndetësja bërthamore britanike thyen rekord

217 ditë në det dhe zero kontakt me botën, nëndetësja bërthamore britanike thyen rekord

Bota November 20, 2026 - 16:48

Nëndetësja bërthamore britanike HMS Vengeance ka vendosur një rekord të ri, duke përfunduar një mision prej 217 ditësh, gjatë të cilit ekuipazhi kishte pothuajse zero kontakt me botën e jashtme.

Megjithatë, ky rekord ka ngritur shqetësime për gjendjen e flotës bërthamore të Marinës Mbretërore Britanike.

HMS Vengeance është kthyer në Skoci pas më shumë se shtatë muajsh në det, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 205 ditësh, të vendosur në prill nga nëndetësja HMS Vanguard.

Sipas ekspertëve, zgjatja e vazhdueshme e misioneve nuk është domosdoshmërisht tregues i fuqisë ushtarake, por lidhet me vonesat në mirëmbajtjen e nëndetëseve të vjetruara dhe presionin psikologjik mbi personelin.

Eksperti i nëndetëseve bërthamore, David Cullen, ka deklaruar për The Guardian se nëndetëset e klasës Vanguard fillimisht ishin projektuar për misione që zgjasnin rreth tre muaj.

Megjithatë, sot disa prej tyre qëndrojnë në det më shumë se dyfishin e kësaj periudhe, duke detyruar ekuipazhet prej rreth 140 personash të jetojnë për muaj të tërë në hapësira të kufizuara.

Një nga sfidat më të mëdha është izolimi nga familjarët.

Për arsye sigurie, nëndetëset që mbajnë raketa bërthamore operojnë kryesisht nën ujë dhe ruajnë heshtjen radiofonike për të shmangur zbulimin e pozicionit.

Detarët mund të marrin një mesazh familjar në javë, me maksimum 120 fjalë, por nuk lejohen t’u përgjigjen.

Mesazhet kontrollohen nga autoritetet ushtarake dhe disa informacione mund të censurohen.

Ndryshe, HMS Vengeance e lëshuar në ujë në vitin 1998, është një nga katër nëndetëset britanike të klasës Vanguard.

Ajo është rreth 150 metra e gjatë dhe është projektuar për të transportuar raketa balistike Trident, të afta të mbajnë koka bërthamore.

Këto nëndetëse përbëjnë një element kyç të strategjisë britanike të parandalimit bërthamor, sipas së cilës të paktën një nëndetëse e armatosur me armë bërthamore duhet të jetë vazhdimisht në patrullim.

Ndërkohë, vonesat në zëvendësimin e flotës kanë bërë që nëndetëset Vanguard, të projektuara fillimisht për rreth 25 vjet shërbim, të pritet të përdoren për afro 40 vjet.

Nëndetësja e parë e gjeneratës së re, HMS Dreadnought, pritet të hyjë në shërbim rreth vitit 2032.

Rekordi i HMS Vengeance ka rikthyer kështu debatin mbi qëndrueshmërinë e flotës bërthamore britanike dhe kushtet e vështira me të cilat përballen ekuipazhet gjatë misioneve të gjata. /abcnews