24 vjet nga zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Kosovë

24 vjet nga zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Kosovë

Dosier March 22, 2022 - 12:20

Në cilësinë e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova më 23 dhjetor 1997 u bë shpallja e zgjedhjeve të reja ”parlamentare dhe presidenciale” për datën 22 mars 1998, të cilat sipas KQZ-së u mbajtën në 29 zona – njësi zgjedhore, për t’u zgjedhur presidenti dhe 130 deputetë, 100 prej të cilëve dalin nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, kurse 30 vendet tjera shpërndahen sipas proporcionit.

Kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të 22 Marsit 1998, ishte caktuar gjykatësi Tadej Rodiqi.

Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje morën pjesë dhjetë parti politike, tri asociacione, Shoqata e Juristëve të Pavarur, Lëvizja e të Gjelbërve e Kosovës dhe Lidhja e Qytetarëve e Kosovës, dhe tre kandidatë të pavarur për deputet, dy nga Deçani dhe një nga Dragashi. Më 19 mars 1998, Ibrahim Rugova i bëri apel popullit të dalin në mënyrë masive në zgjedhjet parlamentare e presidenciale më 22 mars.

Në apelin e Ibrahim Rugovës thuhej:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 22 marsit në Republikën e Kosovës janë me rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore. Me këto zgjedhje mbahet dhe forcohet rendi demokratik në Kosovë, duke u afirmuar vota e lirë e qytetarëve. Me këto zgjedhje forcohet legjitimiteti i udhëheqjes dhe institucioneve të Kosovës, krijohen mundësi më të mëdha të ndërtimit të shoqërisë dhe shtetit civil. Me këto zgjedhje forcohen më shumë lidhjet e Kosovës me miqtë e saj të shumtë në botë, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Në cilësinë e kryetarit të Republikës së Kosovës, ftoj të gjithë qytetarët që të dalin në votime. Nga institucionet republikane e lokale kërkoj të bëhen përgatitjet e duhura për realizimin me sukses të zgjedhjeve të 22 marsit. I ftoj qytetarët të votojnë për kandidatët parlamentarë e presidencialë të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje, sidomos të LDK-së, dhe të partive tjera që kanë punuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së tij”.