Blegtoria si sukses familjar, nga katër dele në mbi 1000 krerë bagëtish
Foto: Laura Hasani

Blegtoria si sukses familjar, nga katër dele në mbi 1000 krerë bagëtish

Ekonomia May 14, 2026 - 09:30

Nga vetëm katër dele të nisura në vitin 2015, sot familja e Hidajet Gurit nga fshati Nikaj i Kaçanikut mbarështon qindra dele, dhi dhe lopë. Përmes punës dhe përkushtimit, ai ka arritur të krijojë një fermë të qëndrueshme, duke e kthyer blegtorinë në burimin kryesor të të ardhurave për familjen e tij.

Në vitin 2015, ai kishte filluar mbarështimin vetëm me katër dele. Sot Hidajet Guri nga fshati Nikaj i Komunës së Kaçanikut numëron rreth 700 krerë dele, së bashku me qengjat.

Ai mbarështon delen e Sharrit, për të cilën thotë se përshtatet shumë mirë me kushtet klimatike të vendit, ndërsa shquhet për prodhim të mirë të qumështit dhe pjellshmëri të lartë.

“Shitja e qengjave është e garantuar dhe kjo veprimtari është fitimprurëse”, thotë Guri.

Sa i përket shëndetit të tufës, ai tregon se deri më tani nuk janë përballur me sëmundje serioze.

Duke parë leverdinë nga blegtoria, Hidajeti ka filluar në vitin 2016 edhe mbarështimin e dhive autoktone ballkanike. Sot ai numëron rreth 300 dhi, së bashku me kecat.

Dhitë i mbarështon kryesisht për qumësht dhe për shitjen e kecave për mish. Sipas tij, edhe tregu për qumështin e dhisë dhe për kecat është i qëndrueshëm.

“Dhia ballkanike është shumë e qëndrueshme ndaj kushteve klimatike dhe sëmundjeve, ndërsa qumështi i saj është i një cilësie të lartë”, shprehet ai. Megjithëse prodhimi i qumështit arrin rreth një litër në ditë për dhi, Guri vlerëson se cilësia e tij është shumë e lartë.

Ai shton se Kosova ka kushte shumë të favorshme për mbarështimin e dhive, falë relievit kodrinoro-malor që përfshin pjesën më të madhe të territorit të vendit.

Krahas deleve dhe dhive, familja Guri mbarështon edhe 16 krerë lopë, të cilat i mban kryesisht për viça për majmëri. Mbarështimi bëhet kryesisht në kullota dhe jo në regjim stallor.

“Mbarështimi i tri llojeve të bagëtive nuk është i lehtë, por si familje ia dalim”, thotë Hidajeti.

Ai thekson se edhe shitja e viçave është e sigurt dhe me çmime të favorshme në treg.

Sa i përket mbështetjes institucionale, Guri kërkon që subvencionet të jepen me kohë, ndërsa thotë se deri më tani nuk ka përfituar nga grantet, pavarësisht premtimeve.

Si sfidë tjetër ai përmend rritjen e çmimit të naftës, e cila sipas tij ndikon drejtpërdrejt në kostot e fermës.

Përveç deleve, dhive dhe lopëve, familja Guri mbarështon edhe katër kuaj, të cilët Hidajet Guri thotë se i mban më shumë si atraksion.