Abdixhiku dhe Osmani vizitojnë një biznes në Gjilan: Shteti zhvillohet duke u bërë partner i bizneseve

Abdixhiku dhe Osmani vizitojnë një biznes në Gjilan: Shteti zhvillohet duke u bërë partner i bizneseve

Ekonomia May 19, 2026 - 16:40

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani kanë vizituar sot kompaninë përpunuese ASK Foods, të cilën e ka cilësuar si një nga bizneset më të suksesshme përpunuese në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të shtetit me sektorin privat, duke thënë se zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet pa mbështetjen e ndërmarrësve dhe prodhuesve vendorë.

“Sot vizituam një ndër bizneset më të suksesshme përpunuese në vend, ASK Foods”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka kritikuar qasjet që, sipas tij, e shohin biznesin me mosbesim, duke theksuar se ekonomia e fortë ndërtohet përmes partneritetit me sektorin privat.

“Të mburresh sot se nuk bashkëpunon me ndërmarrës, me prodhues e krijues të vlerës, është të mos e kuptosh fare se si ndërtohet një ekonomi e fortë. Shteti nuk zhvillohet duke i parë bizneset me dyshim; zhvillohet duke u bërë partner i tyre”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e prodhimit vendor dhe krijimit të vendeve të punës, duke i cilësuar ato si forma të “patriotizmit ekonomik”.

“Në çdo produkt vendor, në çdo fabrikë që punon, në çdo vend pune që krijohet, ka më shumë patriotizëm ekonomik se në mijëra fjalë boshe. Kosova ka nevojë për më shumë prodhim, më shumë përpunim e më shumë eksport. Ka nevojë për njerëz që krijojnë vlerë dhe për një shtet që ua hap rrugën, jo që ua vështirëson atë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Në fund, ai e ka cilësuar ASK Foods si shembull të potencialit që ka Kosova për zhvillim ekonomik.

“ASK Foods është një dëshmi e qartë se Kosova mundet. Kur ka punë, vizion e përkushtim, suksesi bëhet i mundur edhe këtu, në vendin tonë”, ka përfunduar ai.