Hoti kritikon Qeverinë: Shpenzuan mbi dy miliardë euro buxhet, s’mund t’i përmendin tri projekte madhore
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë në detyrë se ka shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por që, sipas tij, e njëjta nuk mund t’i përmendë tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti shton se gjithë ky buxhet i shpenzuar do të mund të arsyetohej sikur të ishin përfunduar se paku disa nga projektet e premtuara: Autostrada e Gjilanit, Hekurudha Prishtinë–Durrës (të ishte nisur), Rruga dhe tuneli Prizren–Tetovë, Autostrada Prishtinë–Merdar, Lidhja e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroporti i Gjakovës, Rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, dhe segmente të tjera më të vogla dhe Centrali me gaz.
“Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur. A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po. A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Pos të tjerash, ai tha se nëse këto projekte do të realizoheshin, atëherë, sipas tij, ekonomia e Kosovës do të lulëzonte.
Imagjinoni ekonominë e Kosovës me këto projekte të përfunduara:
“Kosovës i duhet një qeveri normale që menaxhon zhvillimin ekonomik. Kosovës nuk i duhet një qeveri që krijon kriza, e pastaj merret me menaxhimin e tyre”.