Pesticidet po shtrenjtohen e spërkatjet s’ndalen, çka po ndodh në arat e Kosovës?
Foto: Laura Hasani

Pesticidet po shtrenjtohen e spërkatjet s’ndalen, çka po ndodh në arat e Kosovës?

Ekonomia May 25, 2026 - 10:15

Përdorimi i pesticideve në bujqësi vazhdon të jetë një temë mjaft e debatuar në Kosovë, mes nevojës për të mbrojtur kulturat bujqësore dhe frikës nga keqpërdorimi që mund të rrezikojë sigurinë ushqimore.

Ekspertë të bujqësisë, agronomë, fermerë dhe tregtarë të inputeve bujqësore theksojnë se pesticidet janë të domosdoshme në prodhimtarinë intensive, por përdorimi i tyre kërkon kontroll profesional, respektim të etiketës dhe të afatit të karencës.

Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se, ndonëse sipërfaqja e tokës bujqësore të shfrytëzuar e trajtuar me pesticide ka shënuar vetëm luhatje të vogla në vitet e fundit, shpenzimet për pesticide janë rritur.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë periudhës 2020–2024, sipërfaqja e trajtuar me pesticide është rritur nga 122,090 hektarë në vitin 2020 në 122,571 hektarë në vitin 2024, një rritje prej rreth 0.4%.

Në dy vitet e fundit, sipërfaqja ka shënuar rënie të lehtë, nga 122,752 ha në vitin 2023 në 122,571 ha në vitin 2024, që përfaqëson një rënie modeste prej rreth 0.1%.

Vetëm në dy vitet e fundit, shpenzimet janë rritur për rreth 7%, që, sipas analizës së përfshirë në materialet shoqëruese, lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve të pesticideve.

Këtë trend e mbështesin edhe të dhënat e ASK-së për indeksin e çmimeve të inputeve në bujqësi (2020=100).Sipas tabelave për tremujorin e parë të vitit 2026, kategoria “Produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet” ka shënuar indeks 167.4 në janar, 167.4 në shkurt dhe 164.0 në mars të vitit 2026, duke sugjeruar se çmimet e këtyre produkteve vazhdojnë të mbesin të larta krahasuar me vitin bazë 2020.

Pa pesticide, në disa kultura humbjet shkojnë deri në 100%

Profesori universitar dhe eksperti bujqësor, Fadil Musa, thotë për Telegrafin se pesticidet janë preparate që luftojnë shkaktarët e sëmundjeve dhe dëmtuesit në kultura bujqësore, duke theksuar se prodhimtaria intensive sot vështirë se mund të zhvillohet pa to.

“Pesticidet janë preparate që, së pari, bëjnë luftimin e shkaktarëve të sëmundjeve dhe dëmtuesve të ndryshëm te kulturat bujqësore. Mospërdorimi i tyre dhe nevoja për t’i përdorur janë dy kërkesa diametralisht të largëta. Sot nuk ka prodhimtari intensive që mund të kryhet pa përdorimin e pesticideve”, deklaroi Musa.

Sipas tij, sa më intensive të jetë prodhimtaria bimore, aq më i madh është presioni i dëmtuesve dhe sëmundjeve.“Sa më intensive që është prodhimtaria bimore, agjentët e dëmshëm biologjikë – insektet, merimangat, nematodat, barojat e këqija, si dhe sëmundjet nga kërpudhat, viruset e bakteret – e rrisin atakimin dhe dëmin”, shpjegoi ai.

Musa paralajmëron se pa ndërhyrje, sidomos kur metodat e tjera nuk funksionojnë, humbjet mund të jenë të plota.

“Nëse nuk ndërmarrim masa, dhe në alternativën e fundit nuk përdorim preparate kimike, atëherë humbjet në disa kultura që janë më të ndjeshme mund të shkojnë edhe 100 për qind. Nuk flitet më për rendiment – kërcënohet edhe vetë kultura, deri në zhdukje ose vyshkje”, u shpreh ai.

Ai thotë se praktikat më të mira rekomandohen përmes Menaxhimit të Integruar të Dëmtuesve (IPM), ku pesticidet përdoren si zgjidhje e fundit.

“Ne rekomandojmë të ashtuquajturin Menaxhim të Integruar të Dëmtuesve. Para pesticideve, duhen shteruar metodat e tjera: agroteknike, biologjike, mekanike dhe fizike. Preparatet kimike përdoren vetëm si alternativë e fundit, kur këto nuk kanë kryer punë”, tha Musa.

Por, sipas tij, IPM-ja nuk zbatohet gjithmonë në terren.

“Në praktikë, kemi fermerë shumë të mirë që e zbatojnë plotësisht, por janë të rrallë dhe numerikisht pak. Shumica nuk i zbaton këto praktika dhe këtu pastaj lindin telashet”, shtoi ai.

Musa thotë se ka raste kur trajtimet janë minimale, por edhe raste të teprimit ekstrem.“Ka fermerë që brenda vitit i përdorin preparatet në mollë një ose dy herë. Por ka edhe të tjerë që nuk u intereson çka ndodh në pemishte nga përdorimi i tepruar – trajtojnë çdo javë dhe brenda një periudhe vegjetative shkojnë deri në 20 trajtime. Kur trajtohet 20 herë, ai më nuk është ushqim, por është helm, sepse mbetjet e pesticideve janë shumë të mëdha”, deklaroi Musa.

Etiketa tregon gjithçka – dozën, kulturën dhe karencën

Agronomi Lirim Karpuzi thekson se, përkundër perceptimit negativ, pesticidet duhet parë edhe nga ana e tyre pozitive, por gjithmonë me përdorim të kontrolluar dhe profesional.

“Shpesh dëgjojmë që pesticidet kanë rol negativ, por ne duhet ta shohim gjithmonë edhe anën pozitive. Pesticidet, sipas metodës së re, njihen si produkte për mbrojtjen e bimëve – PMB. Përdorimi i tyre duhet të kontrollohet nga profesionistë dhe të jepen këshilla nga profesionistë. Pastaj, fermeri duhet t’i zbatojë me përpikëri”, tha ai.Sipas Karpuzi, etiketa është dokumenti kryesor udhëzues.

“Çdo produkt për mbrojtjen e bimëve ka etiketë dhe është i detyruar të jetë në gjuhën shqipe. Në etiketë janë forma e përdorimit, doza, kultura ku përdoret, dëmtuesi dhe karenca e preparatit. Nëse respektohen udhëzimet e etiketës, përdorimi është i ligjshëm dhe i sigurt”, theksoi ai.

Ai shton se karenca ndryshon nga kultura në kulturë.

“Në perime karencat variojnë, por mund të jenë diku 3 deri në 4 ditë. Në pemë mund të shkojë 14 deri në 21 ditë, ndërsa në kultura gjethore mund të zgjasë mbi 21 ditë”, tha Karpuzi. Karpuzi tregon se rekomandimet, sipas tij, duhet të dalin nga vizitat në terren dhe identifikimi i saktë i dëmtuesit.

“Së pari bëhet kontrolli dhe vizita në terren. Në bazë të simptomave të bimës dhe dëmtuesit, jepet preparati që është ekzakt për atë dëmtues dhe nuk dëmton kulturat e tjera – pra, është specifik”, u shpreh ai.

Ai paralajmëron se problemi rritet sidomos në fazën e lules dhe frutit, kur gabimi me karencën mund të ndikojë direkt në produktin që shkon në treg.

“Dëmtuesit më problematik shfaqen zakonisht në kohën e lules dhe të frutit. Kjo na paraqet problem te karenca, sepse nëse jemi afër vjeljes dhe trajtojmë me preparat me karencë të lartë, produkti fillon të përmbajë pesticide”, shtoi Karpuzi. Përdorim me masë i pesticideve dhe në kohën e caktuar

Fermeri Smajl Balaj thotë se e kanë provuar edhe prodhimin pa pesticide, por sipas tij ato përdoren “me masë” dhe sipas rregullave.

“Ne i kemi provuar edhe pa përdorimin e pesticideve. Mirëpo, ne i përdorim me masë dhe në kohën e caktuar – si pesticidet, ashtu edhe plehrat kimike”, tha Balaj për Telegrafin. Ai pretendon se kur përdoren sipas rregullave, nuk paraqesin rrezik.

“Nëse i përdor me rregull, nëse i përdor me sasi të caktuar, atëherë kurrfarë problemi nuk ka për shëndetin e njeriut”, u shpreh ai. Balaj thotë se i zgjedhin produktet nga kompani të njohura dhe i referohen karencës.

“Ne i përdorim pesticidet prej kompanive të njohura, si ato gjermane apo holandeze, dhe secila kompani e tregon sa e ka karencën dhe sa duhet të përdoret”, tha ai.

Ai shton se Kosova përdor më pak pesticide për sipërfaqe sesa shtetet evropiane.

“Kur i shikon statistikat, Kosova përdor pesticide më pak për sipërfaqe të punuara se sa shtetet evropiane”, deklaroi Balaj.

Tregtimi i inputeve bujqësore

Tregtari i inputeve bujqësore, Besim Sahiti, thotë se fermerët udhëzohen të përdorin vetëm produktet e lejuara dhe sipas rekomandimeve të prodhuesit, përfshirë dozën, alternimin dhe karencën. “Në radhë të parë, fermerët udhëzohen të përdorin PMB-në që janë në listat e lejuara të MBPZHR-së. Pastaj, referojmë produktin për problemin e duhur, dozat e sakta sipas referencave të prodhuesit, alternimin e produkteve – jo i njëjti produkt në disa trajtime – karencën dhe kohën e trajtimit”, tha Sahiti.Ai thotë se barnatoret bujqësore nuk duhet të tregtojnë produkte jashtë listave të lejuara, ndërsa kontrolli i importit dhe tregtimit, sipas tij, është nën AUV-i.

“Personat përgjegjës apo barnatoret bujqësore nuk mund të tregtojnë produkte jashtë listave të lejuara nga MBPZHR-ja. Kontrolli mbi importin dhe tregtimin e produkteve është nën kontrollin e AUV”, theksoi ai. Po ndryshohet ligji dhe po harmonizohet me standardet e BE-së.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) thuhet se menaxhimi i Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) ka rëndësi të veçantë dhe se ministria ka paraparë hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit ekzistues.

“MBPZHR-ja këtë vit ka paraparë, në kuadër të Programit Legjislativ dhe Planit të Punës, hartimin e Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është avancimi i mëtejmë i kornizës ligjore dhe harmonizimi me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian… me synim përdorimin sa më të drejtë dhe efektiv të tyre… si dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. MBPZHR-ja thotë se nga viti 2024 kompetenca për regjistrimin dhe licencimin e PMB-ve ka kaluar në AUV.

“Që nga viti 2024, kompetenca për regjistrimin dhe licencimin e Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve ka kaluar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)”, thuhet në përgjigje.

Në vitin 2025 u kryen 1.915 inspektime

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thekson se përfitimet e pesticideve arrihen vetëm kur ato përdoren sipas rregullave, duke respektuar udhëzimet e etiketës, dozat dhe periudhën e sigurisë para korrjes.

“Përdorimi i duhur sjell disa përfitime të rëndësishme në bujqësi dhe shëndet publik… Megjithatë, këto përfitime arrihen vetëm kur pesticidet përdoren me kujdes: sipas udhëzimeve të etiketës, në dozat e lejuara dhe duke respektuar kohën e sigurisë para korrjes”, thuhet në përgjigjen e AUV-it. AUV-i bën të ditur se kryen kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm të mbetjeve të pesticideve, duke përfshirë kontrolle dokumentare, kontroll të identitetit, kontroll fizik dhe marrje mostrash për analiza laboratorike.

“Kontrollet zyrtare realizohen në të gjitha fazat inspektuese, duke përfshirë kontrollin dokumentar, kontrollin e identitetit, kontrollin fizik të ngarkesave, si dhe marrjen e mostrave për analiza laboratorike”, thuhet në përgjigje. Sipas AUV-it, importi lejohet vetëm për substanca aktive të lejuara në Bashkimin Evropian dhe vetëm nga kompani të licencuara. “AUV-i lejon vetëm ato formulime/preparate dhe substanca aktive të cilat janë të lejuara në Bashkimin Evropian… Importi… mund të realizohet vetëm nga kompani të specializuara dhe të licencuara”, thuhet në përgjigje.

AUV-i rendit si shkelje të shpeshta tregtimin e produkteve të paautorizuara, pesticide të kontrabanduara, përdorim jashtë dozave dhe mosrespektim të karencës, si dhe raste kur mbetjet tejkalojnë kufijtë e lejuar.

Ndërkaq, për vitin 2025, AUV-i thotë se janë kryer 1,915 inspektime në sektorin fitosanitar, ku shumica prej tyre ishin në fitofarmaci.

“Gjatë vitit 2025 janë bërë 1,915 inspektime në sektorin fitosanitar, ku shumica prej tyre ishin në fitofarmaci (barnatore bujqësore)”, thuhet në përgjigje.

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim. /Telegrafi