OEK: Përfshirja në projektet e gazit, urgjencë për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik

OEK: Përfshirja në projektet e gazit, urgjencë për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik

Ekonomia June 17, 2026 - 14:05

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e vendit për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit natyror, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Në reagimin e saj, Oda paralajmëron se mosangazhimi ose refuzimi për t’u përfshirë në projektet e gazit mund të ketë ndikim negativ në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike në rajon.

Sipas OEK-ut, vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë me shpejtësi në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe në lidhjet me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare, ndërsa mungesa e Kosovës në këto iniciativa, sipas tyre, e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime strategjike.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, thuhet në qëndrimin e OEK-ut.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e përfshirjes aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.

OEK-u rikujton se ka kërkuar edhe më herët masa urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit mbeten thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit. /Zëri