Mbi 69 mijë vizitorë në hotele gjatë majit, shënohet rritje prej 11,5% krahasuar me një vit më parë

Mbi 69 mijë vizitorë në hotele gjatë majit, shënohet rritje prej 11,5% krahasuar me një vit më parë

Ekonomia July 07, 2026 - 13:30

Numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë majit janë regjistruar gjithsej 69.081 vizitorë, ose 11,5 për qind më shumë se në maj 2025, kur ishin regjistruar 61.931 vizitorë.

Nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, 25.026 ishin vendorë, ndërsa 44.055 ishin vizitorë të huaj.

Po ashtu, gjatë këtij muaji janë realizuar gjithsej 155.599 netqëndrime, prej të cilave 88.957, ose 57,2 për qind nga vizitorët e huaj dhe 66.642, ose 42s8 për qind nga vizitorët vendorë.

Sa u përket turistëve të huaj, ASK-ja bën të ditur se numri i tyre është rritur për 18,1 për qind krahasuar me majin e vitit 2025. Vizitorët më të shumtë kanë ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

Rritjen më të madhe ndër shtetet kryesore e ka shënuar Turqia, me 4.672 vizitorë, ose 69,6 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, netqëndrimet e vizitorëve nga Turqia u rritën me 34,3 për qind.

Ndërkaq, vizitorët nga Gjermania u rritën me 24 për qind, ndërsa netqëndrimet e tyre me 21,1 për qind. Vizitorët nga Zvicra shënuan rritje prej 3,7 për qind, ndërsa netqëndrimet u rritën me 23,3 për qind. Nga Shqipëria pati një rritje të lehtë prej 0,2 për qind të vizitorëve dhe 2,5 për qind të netqëndrimeve.

Sipas ASK-së, këto të dhëna pasqyrojnë vazhdimin e trendit pozitiv të sektorit të hotelerisë dhe turizmit në Kosovë. /Zëri

Image