ATK-ja mirëpret 20 praktikantë në Departamentin e Teknologjisë Informative

ATK-ja mirëpret 20 praktikantë në Departamentin e Teknologjisë Informative

Ekonomia July 17, 2026 - 17:13

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mirëpritur sot 20 praktikantë të rinj, të cilët do t’i bashkohen Departamentit të Teknologjisë Informative, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe avancimit të transformimit digjital të institucionit.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, i uroi praktikantët për fillimin e angazhimit të tyre dhe i inkurajoi që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për zhvillim profesional.

“Duke punuar me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet, jo vetëm që do të ndërtoni një bazë të fortë për karrierën tuaj, por do të jepni edhe një kontribut të vlefshëm në transformimin digjital të institucionit tonë. ATK do të vazhdojë të mbështesë dhe të krijojë mundësi për të rinjtë që synojnë të zhvillohen profesionalisht. Ju falënderoj për besimin dhe ju uroj shumë suksese gjatë punës praktike, si dhe në rrugëtimin tuaj të ardhshëm profesional”, tha Hyseni.

Praktikantët do të kenë mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale duke punuar së bashku me ekspertët e Departamentit të Teknologjisë Informative, ndërsa ATK do të përfitojë nga energjia, kreativiteti dhe idetë e reja që ata sjellin.

Sipas ATK-së, transformimi digjital mbetet një nga prioritetet strategjike të institucionit.

Përmes zhvillimit dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative teknologjike, synohet modernizimi i proceseve të administrimit tatimor, thjeshtimi i procedurave administrative dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve, duke ofruar një përvojë më të lehtë dhe më të shpejtë për tatimpaguesit.

ATK thekson se do të vazhdojë të investojë në teknologji, profesionalizëm dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit, me synimin për t'u zhvilluar si një institucion modern, inovativ dhe i gatshëm për sfidat e së ardhmes.

Image
Image
Image