Inflacioni në rritje, ekspertët kërkojnë masa urgjente për zbutjen e krizës
Rritja e inflacionit në Kosovë, do të duhej të ishte një sinjal për zyrtarët vendorë për zbutjen e krizës ekonomike në vend. Kështu thonë ekspertë të ekonomisë, duke ritheksuar se kohët e fundit është krijuar një destabilizim ekonomik në të gjithë vendin.
Qytetarët e Kosovës po përballen me çmime të larta të produkteve bazike ushqimore. Qytetarët e intervistuar nga Radio Kosova, ankohen për çmime të larta të produkteve bazike.
Raporti i fundit përmbledhës nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thekson një normë të lartë të inflacionit në Kosovë gjatë muajit qershor, deri në 6.0 për qind.
Kryetari nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, thotë se "aspektet politike, nuk po lënë hapësirë për zhvillim të politikave ekonomike të cilat do ta luftonin inflacionin".
"Mos-formimi i institucioneve ka ndikuar në ekonominë e vendit, duke bërë që importi nga vendet e tjera të jetë i lartë, dhe që me automatizim po ndikon në rritje të çmimeve", thotë për Radio Kosovën, njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu, trendi i vështirë ekonomik do të bartet edhe në vitin e ardhshëm.