GAP: Shënohet përparim në nivelin e transparencës buxhetore të komunave

GAP: Shënohet përparim në nivelin e transparencës buxhetore të komunave

Ekonomia August 04, 2026 - 13:05

Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, sipas të cilit është shënuar përparim në nivelin e transparencës buxhetore të komunave të Kosovës, megjithëse disa prej tyre vazhdojnë të mbeten larg standardeve të kërkuara.

Sipas raportit, mesatarja e pikëve të Indeksit të Transparencës Buxhetore për vitin 2025 ka arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte një vit më parë.

Dhjetë komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa 19 nga 38 komunat kanë grumbulluar së paku 89.5 pikë, duke reflektuar një rritje të transparencës në pjesën më të madhe të vendit.

Në anën tjetër, gjashtë komuna – Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani – nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë në indeks.

Raporti tregon se gjatë vitit 2025 komunat kanë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, përfshirë raporte financiare dhe dokumente mbështetëse të politikave buxhetore. Dokumentet më të publikuara ishin raportet financiare të buxhetit, me gjithsej 133 dokumente.

Sa i përket planifikimit të buxhetit për vitin 2026, janë evidentuar 119 dëgjime buxhetore. Nga 38 komuna, 28 kanë organizuar së paku katër dëgjime me qytetarët, ndërsa vetëm tri komuna kanë mbajtur më pak se katër dëgjime.

Sipas GAP-it, 76 për qind e dokumenteve buxhetore janë publikuar në formate të hapura dhe të përdorshme, kryesisht Excel dhe Word, tetë për qind në format PDF dhe 16 për qind si dokumente të skanuara.

Raporti evidenton gjithashtu se progresin më të madh gjatë vitit 2025 e kanë shënuar Obiliqi, me rritje prej 60 pikësh, Ferizaj me 52.5 pikë dhe Gjilani me 43.5 pikë.

Në anën tjetër, rënien më të madhe e kanë regjistruar Vitia me 35 pikë më pak, Mitrovica e Veriut me 29 pikë dhe Lipjani me 15 pikë.

Instituti GAP vlerëson se, megjithëse është shënuar përparim i rëndësishëm në transparencën buxhetore, mbetet e nevojshme standardizimi i mënyrës së publikimit të dokumenteve dhe forcimi i mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat. /Zëri