“Ka shkelje flagrante të ligjit”, punëtorët në KEK në hall me kushtet e punës
Disa herë dolën në protestë. Madje në këto greva, kishin vetëm një kërkesë, përmirësimin e kushteve.
E muaj pas, për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, asgjë s’ka ndryshuar.
Edhe tani, kanë të njëjtën ankesë. Nga Sindikata e punëtorëve të KEK-ut thonë se po u shkelen të drejtat.
“KEK-u i ka 6000 lëndë në Gjykata që janë anku punëtorët për shkak të padrejtësive që iu kanë bërë deri më tash. Kemi orët e fundjavës, kemi rrezikshmërinë pa e pagu, kemi kushtet e punës për disa inxhinierë pa pagu, kemi vende të punës që Korporata Energjetike e Kosovës i detyron punëtorët me punu, i qet në një pozitë tjetër dhe nuk lëshon vend per atë vend pune, që do të thotë aty bëhet shkelje flagrante nga Ligji i punës”, deklaroi Xhelal Jashari, kryetar i sindikatës së punëtorëve të Korporatës Energjetike.
E papranueshme për ta është edhe ngritja e pagës prej 52 eurosh.
“Kërkesat e fundit që ne do t’i adresojmë dhe disa i kemi adresu janë ngritja që ka qenë tash në muajin maj e pagës për punëtorët e Korporatës ka qenë 52 euro neto, që ka qenë shumë e ulët dhe është e papranueshme për neve si Sindikatë, por edhe për punëtorë, për shkak të kushteve të punës që e bojnë këta punëtorë. Një padrejtësi tjetër që i është bërë punëtorëve të Korporatës ku nuk iu është dhënë paga e 13-të, ku gjithë sektorëve tjerë iu ka ndihmu Qeveria, ndërsa punëtorëve që e jepin maksimumin, që punojnë verë, dimër, borë e në shi, nuk janë interesu që të paktën gjysmën e pagës me ua jep”, vlerësoi Jashari.
E të njëjtën kërkesë e ka edhe kryetari i Sindikatës së Termocentralit “Kosova A”, Qenan Avdullahu.
Sipas tij, përveç rritjes së pagave, nevojiten edhe pajisje mbrojtëse.
“Duhet investime të mëdha në punë, kjo edhe është një kompani shumë e vjetër edhe sidomos ‘Kosova A’ duhet investime të mëdha për t’u përmirësuar gjendja në Korporatën Energjetike. Të kemi rritje të pagave, shujta të rritet, të ketë investime në KEK dhe të bëhet nivelizimi i pagave, sidomos për rrob,a për këpucë, për helmeta, për syza, maska, se është pluhur i madh, zakonisht qeto kushte kërkohen”, tha Avdullahu.
Një hall tjetër mbetet edhe mospagesa e rrezikshmërisë.
“Ende nuk paguhemi për rrezikshmëri në punë, mundohemi që gjatë tjetrit vit sipas menaxhmentit të fillohet të paguhet rrezikshmëria në punë”, potencoi Qenan Avdullahu.
Televizioni ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm./teve1