Shoqata e Qumështoreve të Kosovës: Ekziston vetëm një shoqatë dhe kryetari është Ramadan Memaj
Shoqata e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës (SHIQK) ka reaguar ndaj pretendimeve të bëra në media lidhur me hapjen e një padie ndaj Ministrisë së Bujqësisë, duke ngritur një sërë çështjesh që lidhen me përfaqësimin e shoqatës, vendimet gjyqësore dhe zhvillimet në sektorin e qumështit ndër vite.
Në reagimin e saj, shoqata pretendon se Gani Durmishaj po paraqitet në publik si kryetar i SHIQK-së, duke theksuar se, sipas saj, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur në dy raste se Ramadan Memaj është kryetar legjitim i shoqatës.
Sipas SHIQK-së, këto vendime janë dhënë gjatë periudhës 2018–2025, ndërsa vendimi më i fundit, sipas reagimit, mban datën 16 dhjetor 2025, me numër lënde 2019:265292 dhe numër dokumenti 08214734.
Shoqata kundërshton gjithashtu pretendimin se ekzistojnë dy shoqata apo dy kryetarë të industrisë së qumështit. Ajo ngre pikëpyetje edhe rreth përdorimit të emërtimit SHQK dhe SHIQK, duke pretenduar se ndryshimi i emërtimit është bërë nga persona që, sipas saj, nuk kanë pasur legjitimitet për ta bërë një ndryshim të tillë.
Në reagim, SHIQK thotë se paraqitjet publike në kundërshtim me vendimet gjyqësore mund të kenë pasoja ligjore dhe kërkon që deklarimet publike të bëhen në përputhje me vendimet e gjykatave.
Postimi i plotë:
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK DHE RIKUJTIM I DISA FAKTEVE
Nga mjetet e informimit publik jemi njoftuar për pretendimet lidhur me hapjen e një padie ndaj Ministrisë së Bujqësisë.
Fillimisht, dëshirojmë ta njoftojmë opinionin publik se Gani Durmishaj po prezantohet në mënyrë të rreme si kryetar i Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve të Kosovës (SHIQK).
Këtë prezantim po e bën prej një kohe të gjatë dhe, sipas qëndrimit tonë, në kundërshtim të plotë me vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit.
Nuk ekzistojnë dy shoqata të qumështoreve. Ekziston vetëm një shoqatë.
Nuk ekzistojnë as dy kryetarë të kësaj shoqate. Ekziston vetëm një kryetar dhe ai është Ramadan Memaj.
Pas një kontesti të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, në dy raste dhe dy herë radhazi, kanë vendosur se kryetar i ligjshëm dhe legjitim i SHIQK-së është Ramadan Memaj.
Këto vendime janë sjellë në mënyrë të vazhdueshme nga viti 2018 deri në vitin 2025.
Madje, ai hapur dhe publikisht po deklaron se është kryetar prej 14 vitesh rresht!?
Mirë ta zëmë se ai ishte. Por, si ka mundësi që periudha 2018–2025 të bëjë 14 vite!?
A ka mundësi që këta persona nuk dinë as kalkulime elementare?
Si ka mundësi kështu, kaq hapur dhe pa pikë turpi?
Një çështje tjetër:
Emërtimi i shoqatës nga SHQK në SHIQK është bërë nga persona që, sipas qëndrimit tonë, nuk kanë pasur të drejtë ta bëjnë një ndryshim të tillë, sepse nuk kanë pasur legjitimitet.
VENDIMET GJYQËSORE
Vendimi i fundit gjyqësor është i datës 16.12.2025. Me
Nr i lëndës :2019:265292
Nr i dok : 08214734
Përkundër këtyre vendimeve, paraqitja publike në media si kryetar i një shoqate tjetër është një paraqitje e pavërtetë dhe mashtruese.
Këto paraqitje mund të kenë edhe pasoja ligjore. Mosrespektimi i vendimeve gjyqësore, kur plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj, mund të përbëjë vepër penale. Për këtë arsye, çdo deklarim publik duhet të bëhet me përgjegjësi dhe në përputhje me vendimet e gjykatave.
Pra, edhe ankohen në gjykata, edhe nuk i respektojnë vendimet.
DISA FAKTE QË NUK DUHET TË HARROHEN
Është e çuditshme që persona me përgjegjësi institucionale në periudha kyçe, kur sektori i qumështit në Kosovë është përballur me probleme serioze për së paku 15 vite, sot dalin publikisht dhe mbajnë leksione se si duhet të tejkalohen dhe të negociohen problemet në këtë sektor.
Para se të japin këshilla për të ardhmen, duhet të kërkohet përgjegjësi dhe transparencë për atë që ka ndodhur në të kaluarën.
Le t’i rikujtojmë disa fakte:
LULZIM RAFUNA – ISH-DREJTOR I DOGANËS SË KOSOVËS DHE AKTUALISHT KRYETAR I ODËS EKONOMIKE TË KOSOVËS
Gjatë periudhës kur ka drejtuar Doganën e Kosovës, Shoqata e Qumështoreve kishte paraqitur fakte dhe shqetësime konkrete në takime të drejtpërdrejta në zyrat e Doganës së Kosovës, gjatë viteve 2014–2015, në një kohë kur industria vendore e qumështit po kalonte ndër periudhat më të vështira.
Sipas të dhënave dhe shqetësimeve të paraqitura atëherë nga industria, importet masive të produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur po krijonin pasoja të rënda për prodhimin vendor.
Gjatë kësaj periudhe u mbyllën shumë ferma dhe, sipas të dhënave të industrisë, grumbullimi i qumështit vendor u zvogëlua për rreth 100 mijë litra në ditë.
Përkundër faktit se institucionet përkatëse ishin të informuara për shqetësimet e industrisë, kërkohet të sqarohet se çfarë veprimesh konkrete u ndërmorën për mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe të tregut të Kosovës.
Sipas të dhënave të paraqitura nga industria, në atë periudhë në Kosovë mund të kenë hyrë çdo vit rreth 5 milionë kilogramë produkte me vaj palme, ndërsa importet zyrtare të vajit të palmës raportohej të ishin rreth 2 milionë kilogramë.
Qumështi pluhur gjithashtu ishte në shifra milionëshe.
Nëse këto shifra janë të sakta, atëherë lind një pyetje shumë serioze:
Ku përfunduan miliona kilogramë produkte me vaj palme dhe si u kontrollua përdorimi i tyre në tregun e Kosovës?
Kjo është çështje që kërkon verifikim të plotë institucional dhe jo deklarata politike apo mediatike.
VALDET GJINOVCI – ISH-KRYESHEF I AUV-së
Edhe për periudhën kur Valdet Gjinovci ishte në krye të AUV-së duhet të kërkohet një përgjigje e plotë institucionale.
Sipas pretendimeve dhe informatave të paraqitura ndër vite nga industria, institucionet kompetente kanë qenë të informuara për përdorimin e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe produkteve të tjera të përpunuara në tregun e Kosovës.
Për këtë arsye, duhet të sqarohet:
Çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e fermerëve, industrisë vendore, konsumatorëve dhe interesit publik?
Nëse ka pasur informacione zyrtare dhe paralajmërime nga vende të tjera lidhur me mashtrimin e konsumatorëve të Kosovës me produkte që përmbajnë vaj palme, qumësht pluhur apo hirrë pluhur, atëherë është e domosdoshme të hetohet se pse nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme dhe në kohën e duhur.
Nuk mund të mjaftohemi vetëm me pyetjen se çfarë duhet bërë sot.
Duhet të kërkohet përgjigje edhe për atë që nuk është bërë dje.
AUV, si institucion kryesor për sigurinë ushqimore, duhet të sigurojë transparencë të plotë për veprimet e ndërmarra ndër vite.
KËRKESË PËR TRANSPARENCË DHE HETIM
Aleksandër Lumezi, ish-Kryeprokuror i Shtetit, gjithashtu është person kyç sa i përket përgjegjësisë që kishte gjatë kohës sa ishte Kryeprokuror.
Kallëzimi penal që Shoqata e Qumështoreve kishte bërë në vitin 2017 u trajtua, sipas qëndrimit tonë, në heshtje të plotë.
Asnjë reagim, asnjë veprim dhe asnjë përgjigje.
Çështja e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe produkteve të tjera të përdorura në industrinë e qumështit nuk duhet të trajtohet si konflikt personal apo si përplasje mes individëve.
KËRKOJMË TRANSPARENCË DHE HETIM TË PLOTË
Këtu bëhet fjalë për fermerët, industrinë vendore, konsumatorët, konkurrencën e drejtë dhe interesin publik.
Prandaj, çdo pretendim duhet të verifikohet me dokumente, çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe çdo shkelje, nëse konstatohet, duhet të trajtohet nga institucionet kompetente.
Ne kërkojmë transparencë të plotë, verifikim të dokumenteve dhe hetim të paanshëm të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve institucionale gjatë viteve të kaluara.
Sepse vetëm përmes së vërtetës, dokumenteve dhe përgjegjësisë institucionale mund të ndërtohet një sektor i qëndrueshëm i qumështit dhe një treg i sigurt për konsumatorët e Kosovës.
PËRFUNDIM
Çështjet e ngritura nuk lidhen me individë, por me industrinë e qumështit, fermerët, konsumatorët dhe interesin publik.