Prodhuesit vendorë alarmojnë për rënie të shitjeve, paralajmërojnë ulje të vendeve të punës

Prodhuesit vendorë alarmojnë për rënie të shitjeve, paralajmërojnë ulje të vendeve të punës

Ekonomia August 26, 2026 - 14:04

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka zhvilluar një takim me bizneset anëtare nga sektori prodhues, ku janë diskutuar problemet dhe sfidat me të cilat po përballen kompanitë vendore.

Bizneset kanë deklaruar se gjendja aktuale po ndikon drejtpërdrejt në kapacitetet prodhuese, shitjet dhe qëndrueshmërinë e vendeve të punës. Sipas tyre, ndër shqetësimet kryesore janë çmimet e larta të lëndës së parë dhe produkteve bujqësore, rritja e kostove të energjisë dhe shpenzimeve të tjera të prodhimit.

Prodhuesit kanë raportuar rënie të shitjeve deri në 20 për qind, si dhe ulje të fitimit. Ata kanë paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, kompanitë mund të detyrohen të reduktojnë numrin e të punësuarve dhe kapacitetet prodhuese, transmeton Zeri.info.

Në takim janë ngritur edhe shqetësime për mungesën e mbështetjes për prodhimin vendor, problemet me inkasimin e borxheve dhe kërkesa që pagesa e TVSH-së të lidhet me momentin kur faturat arkëtohen.

Bizneset kanë kërkuar gjithashtu trajtim më të favorshëm të produkteve vendore në treg, si dhe mbështetje më të madhe nga marketet dhe pikat e shitjes.

Sipas tyre, ekonomia informale, mungesa e punëtorëve profesionalë dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore vazhdojnë të jenë sfida të mëdha për sektorin. Prodhuesit kanë vlerësuar se angazhimi i punëtorëve të huaj nuk ka rezultuar zgjidhje afatgjatë, pasi një pjesë e tyre e përdorin Kosovën si vend transit drejt vendeve të Evropës.

Shqetësim për bizneset mbetet edhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve qendrore si pasojë e krizës politike, mungesa e angazhimit institucional dhe vështirësitë në eksport. Veçanërisht janë përmendur problemet me eksportin drejt Serbisë, e cila, sipas bizneseve, vazhdon të mos njohë dokumentet e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka vlerësuar se shqetësimet e sektorit prodhues kërkojnë reagim urgjent dhe një qasje të koordinuar institucionale.

Sipas DHTIK-së, prodhuesit vendorë nuk duhet të përballen të vetëm me rritjen e kostove, rënien e shitjeve, mungesën e punëtorëve, konkurrencën e ekonomisë informale, vështirësitë në eksport dhe pasojat e mosfunksionimit institucional. /Zëri