Përurohet Parku i Erës në Zatriq me kapacitet 70 MW
Në Zatriq të Rahovecit është përuruar Parku i Erës me kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh (MW), projekt që pritet të rrisë kapacitetet e Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, ëeyda Çimeli Aydën, drejtori i Bordit të Çalëk Holding, Ahmet Çalëk, drejtori i përgjithshëm i Çalëk Renewables, Emre Erdoëan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të projektit.
Kurti tha se përurimi i parkut përbën një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes energjetike të Kosovës dhe rritjes së prodhimit nga burimet e pastra.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”, tha Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Rahoveci po shndërrohet në një nga qendrat e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Sipas saj, Rahoveci është komuna e parë në vend që ka kapacitete të prodhimit të energjisë nga era, ndërsa pritet të ketë edhe kapacitete solare.
Rizvanolli tha se Parku i Erës në Zatriq pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë (GWh) energji të pastër në vit, sasi që, sipas saj, mund të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive.
“Fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, tha Rizvanolli.
Projekti është zhvilluar nga kompania EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalëk Renewables dhe Eurokos Holding, në përputhje me standardet e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Financimi është bërë nga banka gjermane Helaba, ndërsa projekti është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV.
Përurimi i Parkut të Erës në Zatriq shënon një tjetër investim në rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, me synim diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e sigurisë energjetike dhe uljen e varësisë nga importi.