Peshoret në treg duhet të verifikohen çdo vit, ja si mbrohen konsumatorët
Kur konsumatorët blejnë një kilogram fruta, perime, bukë ose produkte të tjera të peshuara, presin që sasia e treguar në peshore të jetë e saktë. Për të garantuar që konsumatorët të marrin sasinë për të cilën paguajnë, peshoret që përdoren në tregti i nënshtrohen verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë e Kosovës.
Agjencia e Metrologjisë e Kosovës funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë dhe Inovacionit dhe është përgjegjëse për kontrollin dhe verifikimin e mjeteve matëse që përdoren në tregti.
Drejtoresha ekzekutive, Sebahate Bushrani Ibrahimi, tregon se peshoret duhet t'i nënshtrohen verifikimit periodik.
“Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Agjencia e Metrologjisë përbëhet prej Departamentit të Metrologjisë Shkencore dhe Industriale dhe Metrologjisë Ligjore. Konkretisht, metrologjia ligjore bën verifikimin e mjeteve matëse ligjore të cilat përdoren në tregun tonë, qoftë ato te furrat e bukës që është tema aktuale, qoftë në produktet e tjera, domethënë të gjitha peshoret që bëjnë matje, qoftë në markete, duhet të jenë të verifikuara, t'i nënshtrohen verifikimit periodik që është verifikim njëvjeçar që rregullohet me ligj dhe me aktet nënligjore”, tha Sebahate Bushrani Ibrahimi, në "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK.
Procesi përmes të cilit kontrollohet saktësia e peshoreve quhet verifikim. Ky dallon nga kalibrimi, i cili lidhet me metrologjinë shkencore dhe përdoret kryesisht për pajisjet matëse në industri, prodhim apo për nevoja të eksportit.
“Do të thotë këto janë peshore që verifikohen sepse shumë herë kemi rastin që ngatërrohet termi me kalibrim dhe verifikim. Kalibrimi është te metrologjia shkencore që zakonisht përdorin peshoret që janë në industri, domethënë që kërkohen për eksport apo qoftë për prodhim, ato duhet të jenë të kalibruara, ndërsa mjetet matëse ligjore janë mjete që verifikohen, që duhet të kenë një verifikim periodik, domethënë njëvjeçar apo dyvjeçar, varësisht sa e kanë të përcaktuar me aktin nënligjor”, shpjegon Bushrani Ibrahimi.
Verifikimi lidhet edhe me sasinë e produkteve që u ofrohen konsumatorëve. Në rastin e bukës, mënyra e kontrollit varet nëse ajo është e paketuar apo e papaketuar. Për bukën e paketuar zbatohen procedurat për parapaketimet, ndërsa te buka e papaketuar kontrollohet pesha dhe krahasohet me peshën e deklaruar.
“Po, sa i përket sasisë së bukës, këtu i kemi dy njësi që hyjnë në funksion. Nëse e kemi bukën e paketuar, atëherë vijmë te parapaketimet që ne e kemi të zhvilluar edhe laboratorin e parapaketimeve. Nëse flasim për furrat e bukës që bëjnë bukën që nuk është e paketuar, atëherë kjo toleranca është varësisht sa e ka të deklaruar peshën. Dmth matet ajo peshë edhe bëhet krahasimi a është ajo peshë. Nëse e kemi te parapaketimet, atëherë është një procedurë tjetër që duhet të matet, parapaketimi duhet të jetë i përshkruar si duhet edhe duhet të matet sasia e bukës që është brenda. Sa i përket tolerancave, pjesa dërmuese e matjeve që janë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës tolerancën e kanë të përcaktuar me standard”, tha Bushrani Ibrahimi.
Përmes verifikimit periodik synohet që matjet në treg të jenë të sakta dhe që konsumatori të marrë sasinë për të cilën paguan. /rtk