BQK-ja forcon bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Kroacisë në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë

BQK-ja forcon bashkëpunimin me Bankën Kombëtare të Kroacisë në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë

Ekonomia September 25, 2026 - 12:49

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, ka pritur në takim ekspertet e Bankës Kombëtare të Kroacisë, në kuadër të misionit të parë dypalësh për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe edukimin financiar, të zhvilluar në BQK nga 22 deri më 24 shtator 2026.

Përmes një postimi në Facebook, Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se misioni u realizua në kuadër të Programit të BE-së për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të integrimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore

Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili theksoi se mbrojtja e konsumatorëve financiarë, transparenca e tregut dhe besimi i publikut në sistemin financiar mbeten prioritete strategjike për BQK-në.

Gjatë takimit u diskutuan praktikat evropiane për mbikëqyrjen e sjelljes në treg, trajtimin e ankesave, cilësinë e të dhënave, edukimin financiar dhe forcimin e qasjes së bazuar në rrezik në mbikëqyrje.

Në vijim të misionit, edhe Zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala, së bashku me ekipin e saj, diskutoi me ekspertet e Bankës Kombëtare të Kroacisë aspektet kryesore të projektit dhe progresin e tij sipas fazave të planifikuara.

“BQK shpreh mirënjohje për mbështetjen e ESCB-së, Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe Bashkimit Evropian, duke vlerësuar këtë bashkëpunim si kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbikëqyrëse të BQK-së, si dhe në harmonizimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat evropiane”, thuhet tutje në postim. /Zëri