Kredia për banesë në Kosovë, sa kushton deri në këstin e fundit?
60 mijë euro i merrni nga banka për 15 vjet, por sa i ktheni deri në këstin e fundit?
Kësti mujor mund të duket i përballueshëm, por pas tij fshihen vite pagesash, interesa, Euribori dhe kosto të tjera. Sa kushton realisht një kredi për banesë në Kosovë dhe çfarë duhet të dini para se të firmosni kontratën?
Për shumë familje në Kosovë, blerja e një banese është një nga vendimet më të mëdha financiare të jetës. Kur kursimet nuk mjaftojnë, zgjidhja më e zakonshme është kredia bankare.
Por sa kushton realisht kjo kredi? A duhet qytetari të shikojë vetëm këstin mujor? A mbetet ai i njëjtë gjatë gjithë periudhës së kthimit? Çfarë ndodh kur norma e interesit ndryshon? Dhe cilat janë kostot që duhet të kontrollohen në kontratë para nënshkrimit?
Radio Kosova ka ndjekur rastin e një familjeje që ka blerë banesën përmes kredisë bankare.
Valbona Miftari, tregon se familja e saj ka marrë kredi në vlerë prej 65 mijë eurosh, me afat kthimi prej 180 muajsh, apo 15 vjetësh.
Para se të vendoste, ajo kishte kërkuar oferta nga disa banka dhe institucione financiare.
“Në fakt në të gjitha, madje edhe në disa mikrofinanca. Në fund kemi vendosur për atë që e kemi marrë. Kësti mujor ka qenë i përballueshëm ndërsa interesi ka qenë më i ultë se te bankat tjera. Ka qenë një periudhë që ka qenë ofertë, nuk ka qenë standard ai interes por si ofertë, ka qenë interes shumë i volitshëm që i ka përmbushur nevojat tona”, thotë ajo.
Në momentin kur merret kredia, vëmendja e kredimarrësit shpesh përqendrohet te kësti mujor, por jo te pagesa e plotë e kredisë. Dhe dallimi mes këtyre dy shifrave mund të jetë dhjetëra mijëra euro.
Për ta ilustruar këtë, Radio Kosova ka marrë një shembull orientues: 60 mijë euro kredi, me afat kthimi 15 vjet, dhe ka përdorur normën mesatare prej 6.87 për qind, të raportuar për kreditë deri në qershor 2026.
Në këtë përllogaritje supozohet se norma mbetet e pandryshuar gjatë gjithë periudhës dhe nuk përfshihen tarifat apo shpenzimet e tjera. Me këto kushte, kësti mujor do të ishte rreth 535 euro. Për 180 muaj, qytetari do të paguante rreth 96 mijë euro. Pra, për një kredi prej 60 mijë eurosh, pagesa mbi shumën e marrë do të ishte rreth 36 mijë euro. Kjo shumë përfaqëson rreth 60 për qind të shumës së marrë kredi.
Por kjo është vetëm një përllogaritje ilustrative. Në praktikë, kostoja reale varet nga oferta konkrete e bankës, norma e interesit, nëse ajo është fikse apo e ndryshueshme, afati i kredisë, tarifat, sigurimet dhe shpenzimet e tjera të lidhura me kredinë.
Pra, 96 mijë euro nuk duhet të interpretohen si çmimi i çdo kredie prej 60 mijë eurosh, por si rezultat i një skenari të caktuar me normë interesi 6.87 për qind të pandryshuar për 15 vjet.
Një nga faktorët më të rëndësishëm është mënyra se si përcaktohet norma e interesit. Nëse norma është fikse, ajo mbetet e pandryshuar sipas kushteve të kontratës për periudhën për të cilën është përcaktuar si fikse. Por nëse kredia ka normë të ndryshueshme, kësti mund të ndryshojë. Këtë e ka përjetuar edhe Valbona.
“Jo, saktësisht nuk e dimë, për faktin se gjatë tri viteve të para, kësti ka qenë fiks. Por pas tri viteve kanë ndryshuar gjërat, është rritur e po vazhdon të rritet edhe tash. Nuk di të tregoj deri në mund të shkojë realisht, sepse po ndryshon Euribori, siç më kanë thënë ajo ndryshon çdo gjashtë muaj dhe mund të kesh një vlerë tjetër të këstit, kështu që nuk mund ta përcaktoj sa mund të shkojë deri në fund”, thotë ajo.
Në këto raste, kredimarrësi nuk duhet të shikojë vetëm normën fillestare të interesit. Duhet të kuptojë se si formohet norma, sa shpesh mund të ndryshojë dhe çfarë ndikimi mund të ketë ndryshimi i saj në këstin mujor dhe në shumën totale që do të paguajë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se vendimi për një kredi nuk duhet të merret vetëm mbi bazën e këstit që qytetari mund ta përballojë sot. Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, thotë se në përcaktimin e normave të interesit ndikojnë faktorë të ndryshëm ekonomikë, përfshirë kërkesën për kredi, rrezikun dhe kushtet e përgjithshme ekonomike.
“Pse shkon norma e interesit shumë e lartë, është pasi kërkesa për kredi po rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe bankat kanë një marzhë të fitimit marramendës. Pra përfitim marramendës që shkon në kurriz të qytetarëve vendorë. Andaj mendoj që të kishin qenë masat më rigoroze të Bankës Qendrore, dhe të hyjë një garanci tek institucionet kompetente, do të mund të ndikonte në uljen e interesit për një përqindje të vogël”, thotë Misini.
Sipas profesorit Misini, në norma të interesit ndikojnë edhe pasiguria ekonomike dhe inflacioni.
“Nëse i pyet bankat, thonë se normën e interesit e kanë të lartë për shkak të pasigurisë në vend, pasi dallon kontrata e sektorit publik me atë privat. Bizneset në shumicën e rasteve i kemi biznese të vogla e të mesme, nuk kanë shumë qëndrueshmëri financiare, për shkak të pasigurisë që kanë, detyrohen në njëfarë forme që normën e interesit ta kenë më të lartë. Dhe e dyta, kjo shkon në proporcion me normën e inflacionit, sepse e dimë që Kosova prin me inflacion në Evropë, e kjo në mënyrë koherente kjo ndikon në rritjen e normës së interesit”, sqaron ai.
Megjithatë, për një qytetar që merr kredi për banesë, rëndësi ka të dijë sa do t'i kushtojë ajo kredi atij personalisht. Prandaj, para nënshkrimit të kontratës, kredimarrësi duhet të kontrollojë: normën e interesit, nëse ajo normë është fikse apo e ndryshueshme, lidhjen e normës me Euriborin, nëse aplikohet, shumën totale që duhet të paguhet, sigurimet dhe shpenzimet e tjera, por edhe kushtet për shlyerjen e parakohshme të kredisë.
Për të krahasuar ofertat, qytetari nuk duhet të ndalet vetëm te përqindja e interesit të reklamuar. Një element i rëndësishëm është edhe norma efektive e interesit, e cila ndihmon në pasqyrimin më të plotë të kostos së kredisë, duke marrë parasysh edhe kostot përkatëse të lidhura me të.
Banka Qendrore e Kosovës ka krijuar një platformë online ku konsumatorët mund të krahasojnë produkte dhe shërbime financiare, duke përfshirë kredi, norma dhe kosto të ndryshme. Kjo u mundëson qytetarëve që, para se të zgjedhin një ofertë, të mos mbështeten vetëm në këstin mujor, por të shohin edhe kushtet dhe kostot që lidhen me të.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se një nga problemet është se qytetarët shpesh fokusohen te marrja e kredisë dhe jo te kostoja e saj afatgjatë.
“Qëllimi është arritja deri te kredia, por kur vjen koha për ta kthyer atë, atëherë analizohen në detaje të gjitha obligimet dhe kredia shpesh ju del më e shtrenjtë sesa që është nënshkruar dhe që është paramenduar. Është e vërtetë që ekziston një unifikim mes bankave komerciale sa i përket kredive për banesa, mirëpo kjo prapë është çështje e negocimit”, thotë Gërxhaliu.
Gërxhaliu thekson se ndryshimi i kushteve ekonomike dhe shtrenjtimi i jetesës mund ta bëjnë më të vështirë për familjet përmbushjen e obligimeve mujore.
“Dhe e tëra kjo po ndikon në mënyrë direkt apo indirekt në ngritjen e kamatave, të cilat kohëve të fundit, si pasojë e inflacionit, ngritjes së çmimeve, dhe shtrenjtimit të jetës së qytetarëve, me paga të njëjta qoftë minimale apo mesatare, është e pamundur që të përmbushen të gjitha obligimet bankare”, thotë ai.
Sa është rritur tregu i kredive në Kosovë?
Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave të Kosovës, deri në qershor të vitit 2026, vlera e përgjithshme e kredive në sektorin bankar ishte rreth 7 miliardë euro. Prej tyre, rreth 4 miliardë euro ishin kredi për biznese, ndërsa rreth 3 miliardë euro kredi për ekonomitë familjare.
Në buletinin statistikor të Bankës Qendrore të Kosovës për qershor 2026, rritja vjetore e kredive totale raportohet në 12,5 për qind, ndërsa kreditë për ekonomitë familjare kishin shënuar rritje vjetore prej 16.4 për qind.
Të dhënat tregojnë gjithashtu ndryshim të normës mesatare të interesit në kredi: nga 5.87 për qind në fund të vitit 2024, në rreth 6,87 për qind në fund të qershorit 2026.
Kjo tregon se qytetarët dhe bizneset po marrin më shumë kredi, ndërsa kostoja mesatare e huamarrjes ka ndryshuar në të njëjtën periudhë.
Pavarësisht kostos, për shumë familje kredia mbetet mënyra kryesore për të blerë një banesë.
Për Valbonën, pas një periudhe të gjatë të jetesës me qira, kredia ishte një mundësi për të pasur banesën e saj.
“Ne jemi si punëtorë që kemi një pagë mujore. Personalisht nuk kam ndonjë biznes, dhe nuk kam ndonjë mundësi tjetër përveç kredisë. Mendoj që është e domosdoshme, ndoshta edhe për faktin se një periudhë të gjatë kam jetuar me qira dhe nuk ia ka vlejtur. Jam për kredi për të bërë një zgjidhje, pasi ndjehem komode dhe jam e kënaqur që ma kanë dhënë mundësinë të paguaj kredinë dalëngadalë”, përfundon Miftari.
Kjo e tregon edhe anën tjetër të kredisë. Për një familje kredia nuk është vetëm interes dhe kosto financiare, por mund të jetë mënyra e vetme për të kaluar nga qiraja te pronësia.
Megjithatë, për shkak se bëhet fjalë për një detyrim që mund të zgjasë 10, 15 ose 20 vjet, vendimi duhet të merret duke parë përtej këstit mujor që mund të përballohet sot, pra duhet të shihet edhe sa do të kushtojë kredia deri në këstin e fundit. /RTK