Aronia organike e Prizrenit në tregun botëror

Aronia organike e Prizrenit në tregun botëror

Ekonomia October 01, 2026 - 09:37

Familja Berisha nga Prizreni është ndër kultivuesit e parë të aronisë në Kosovë. Përveç kultivimit nëgjashtë hektarë plantacion, ata janë ndër të parët që këtë kulturë e kanë certifikuar si organike. Produktet e përpunuara të aronisë tashmë i tregtojnë jo vetëm në tregun vendor, por edhe në vende të ndryshme të botës.

Esat Berisha, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka investuar në komunën e Prizrenit, ku sot ka gjashtë hektarë plantacion me aroni. Familja e tij është ndër të parat që ka filluar kultivimin e kësaj kulture në Kosovë, si dhe ndër të parat që ka arritur ta certifikojë atë si produkt organik.

Kultivimi organik kërkon përkushtim të veçantë dhe respektim të standardeve të përcaktuara. Përveç masave të duhura agroteknike, edhe plehrat dhe produktet e tjera që përdoren në pemishte duhet të jenë të certifikuara për bujqësi organike.

“Për të arritur që një produkt të certifikohet si organik, nuk mjafton vetëm të zbatohen masat e duhura agroteknike. Edhe produktet që përdoren për ushqimin dhe mbrojtjen e bimëve duhet të jenë të certifikuara dhe të lejuara për përdorim në bujqësinë organike”, thotë Berisha.

Sa i përket prodhimtarisë, Esat Berisha thotë se kultivimi organik, krahasuar me atë intensiv, mund të ketë rendiment pak më të ulët. Megjithatë, përparësia e tij qëndron te çmimi më i lartë i produkteve organike në treg.

Falë kushteve të favorshme klimatike që kanë mbretëruar këtë vit, edhe rendimenti i aronisë në plantacionin e familjes Berisha është më i lartë sesa vitin e kaluar.

Një hektar me aroni, mesatarisht, mund të prodhojë deri në 10 tonë fruta, ndërsa kjo bimë karakterizohet edhe nga jetëgjatësia e madhe, duke mundësuar shfrytëzimin e plantacionit për shumë vite.

“Nëse aronia kultivohet me metodologji organike, rendimenti mund të jetë pak më i ulët në krahasim me kultivimin intensiv. Por, përparësia është se produktet organike kanë çmim më të lartë në treg. Këtë vit, falë kushteve të mira klimatike, kemi rendiment më të lartë sesa vitin e kaluar”, thotë Esat Berisha për RTK-në.

Një tjetër përparësi e kësaj kulture, sipas Esat Berishës, është rezistenca ndaj sëmundjeve. Ai thotë se që nga fillimi i kultivimit të aronisë nuk janë përballur me probleme të tilla.

Për dallim nga shumë kultura të tjera bujqësore, ku prodhuesit shpesh përballen me vështirësi në shitjen e prodhimeve, familja Berisha e ka zgjidhur këtë çështje përmes përpunimit të vetë frutave të aronisë. Krahas tregut vendor, produktet e përpunuara i tregtojnë edhe në shtete të ndryshme të botës.

Aronia njihet për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve dhe vlerat e saj ushqyese, çka e bën një produkt me interes për konsumatorët.

“Ne nuk kemi problem me shitjen e aronisë, sepse frutat i përpunojmë vetë. Përveç tregut vendor, produktet tona i tregtojmë edhe në vende të ndryshme të botës”, thotë Berisha.

Megjithatë, përkundër investimeve dhe shpenzimeve që kërkon kultivimi i kësaj kulture, Esat Berisha vlerëson se subvencionet aktuale janë të ulëta dhe nuk i mbulojnë sa duhet nevojat e prodhuesve.

“Duke i pasur parasysh shpenzimet që kërkon kultivimi i aronisë dhe të gjitha investimet e nevojshme, subvencionet janë të ulëta”.

Procesin e certifikimit të plantacionit të aronisë në Prizren dhe rëndësinë e zbatimit të standardeve të bujqësisë organike e shpjegon Zana Lika, këshilltare për bujqësi organike dhe njëherësh studente e doktoratës për produkte organike në Vjenë.

Lika tregon se certifikimi organik kërkon respektimin e një sërë rregullash, duke filluar nga përzgjedhja e produkteve të lejuara, mënyra e kultivimit, mbrojtja e bimëve, deri te dokumentimi dhe kontrolli i vazhdueshëm i proceseve të prodhimit.

“Procesi i certifikimit organik kërkon respektimin e standardeve të përcaktuara. Në këtë proces kontrollohen të gjitha praktikat e kultivimit, produktet që përdoren dhe mënyra se si menaxhohet plantacioni, në mënyrë që të garantohet përmbushja e kritereve të bujqësisë organike”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se në bujqësinë organike ka produkte dhe praktika të lejuara, por edhe të tilla që ndalohen, me qëllim të ruajtjes së standardeve organike dhe të cilësisë së prodhimeve.

Në Kosovë kultivohen dhe rriten në natyrë disa produkte organike. Megjithatë, sipas ekspertes Lika, pavarësisht vështirësive me të cilat përballet kjo fushë, vendi ynë ka ende potencial dhe hapësirë për shtimin e numrit të produkteve të certifikuara organike.

“Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ka bujqësia organike, në Kosovë ekziston potencial për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe dhe për shtimin e numrit të produkteve organike”, thotë Lika.

Në plantacionin e aronisë dhe në pikën përpunuese të familjes Berisha në Prizren janë të punësuar 20 punëtorë të rregullt. Pronari thotë se aktualisht nuk kanë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore, duke bërë të mundur vazhdimin e kultivimit dhe përpunimit të prodhimeve.

“Në plantacion dhe në pikën e përpunimit kemi 20 punëtorë të rregullt. Për momentin nuk kemi problem me sigurimin e fuqisë punëtore”, thotë Esat Berisha.