“Termokosi” nis sezonin e ri të ngrohjes me kapacitet të kufizuar
Ndërmarrja Publike “Termokos” ka nisur të enjten sezonin e ri të ngrohjes 2026/2027, duke marrë sasitë e para të avullit nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, furnizimi me avull për prodhimin dhe shpërndarjen e ngrohjes ka filluar me kapacitet të kufizuar, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së pajisjeve dhe funksionimit të qëndrueshëm të sistemit.
“Procesi i marrjes së avullit, prodhimit të energjisë ngrohëse dhe shpërndarjes në rrjetin e kogjenerimit është realizuar me sukses të plotë”, thuhet në njoftimin e Termokosit.
Nga kjo ndërmarrje kanë bërë të ditur se kapaciteti i furnizimit do të rritet gradualisht, ndërsa kanë theksuar se do të jenë në gatishmëri të plotë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ngrohje për konsumatorët gjatë gjithë sezonit.
Termokos ka falënderuar për bashkëpunimin ndërmarrjet KEK, KEDS dhe KRU “Prishtina”, me të cilat është koordinuar i gjithë procesi i nisjes së sezonit të ri ngrohës.
“NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet dhe do të jetë në gjendje gatishmërie të plotë, që edhe këtë sezon ngrohës të ofrojë furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ngrohje për gjithë konsumatorët.
I gjithë procesi si gjithmonë deri më tani është koordinuar dhe ka rezultuar me sukses, duke iu falenderuar bashkëpunimit të shkëlqyer, që kemi me ndërmarrjet tjera, si: KEK, KEDS dhe KRU “Prishtina” “, theksohet në njoftim.