Shembja e pllakës së betonit në Prizren, ndalohen punimet në objekt
Foto: Facebook

Shembja e pllakës së betonit në Prizren, ndalohen punimet në objekt

Ekonomia October 28, 2026 - 15:24

Inspektorati Qendror i Punës (IQP), ka marrë vendim për ndalimin e punimeve në një objekt në Prizren, ku si pasojë e shembjes së një pllake betoni morën lëndime gjashtë punëtorë.

Siç bën të ditur Inspektorati, sipas informatave të deritanishme, tre nga punëtorët e lënduar vazhdojnë të jenë të shtrirë në spital, ndërsa tre të tjerët janë liruar për trajtim në shtëpi.

Po ashtu bëhet e ditur se njëri nga të lënduarit ka pësuar fraktura si pasojë e incidentit.

Pas ngjarjes, Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë masa duke ndaluar përkohësisht punimet në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mëtejshme dhe garantimit të sigurisë së punëtorëve.

Në njoftimin lidhur me rastin, bëhet e ditur se inspektorati do të vazhdojë veprimet inspektuese në përputhje me kompetencat e tij ligjore, me fokus të veçantë në respektimin e standardeve për sigurinë dhe shëndetin në punë.