Mungesa e fondeve nga Ministria e Mjedisit, Oda e Inxhinierëve pezullon shërbimet
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) ka ndërprerë përkohësisht funksionimin e saj, duke pezulluar aktivitetet dhe shërbimet për qytetarët dhe profesionistët e kësaj fushe, si pasojë e mungesës së mjeteve financiare.
Vendimi është marrë më 3 nëntor nga Bordi Drejtues dhe ka filluar të zbatohet më 5 nëntor 2026. Sipas njoftimit të Odës, ky vendim do të mbetet në fuqi deri në zgjidhjen e çështjes së financimit.
OIRK-ja ia atribuon përgjegjësinë për sigurimin e mbështetjes financiare Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke u thirrur në obligimin ligjor të këtij institucioni për ndarjen e grantit.
Oda bëri të ditur se dokumentacionin për buxhetin e vitit 2026 e ka dorëzuar që në tetor të vitit të kaluar. Ndërsa gjatë gushtit të këtij viti ka përcjellë një version të përditësuar të planit, në përputhje me kërkesat e Komisionit Ministror për Themelimin e Odave.
Procesi është plotësuar edhe më 28 tetor, kur janë dorëzuar korrigjimet dhe sqarimet shtesë të kërkuara nga Ministria. Megjithatë, sipas OIRK-së, pavarësisht përmbushjes së procedurave, mjetet e parapara përmes grantit nuk janë transferuar ende.
Kjo situatë, e cila sipas Odës zgjat që nga korriku, ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucionit. Përveç vonesave në pagat e stafit administrativ, janë krijuar edhe obligime të papërmbushura financiare dhe është pamundësuar realizimi i projekteve të planifikuara për këtë vit.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët dhe inxhinierët nuk do të mund të marrin shërbime në zyrat e Odës, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura. Megjithatë, OIRK ka sqaruar se pezullimi i aktiviteteve nuk ndikon në vlefshmërinë e licencave profesionale të inxhinierëve, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.