Porti i Durrësit, mbi 897 mijë tonë mallra dhe 90 mijë kamionë në dhjetë muaj
Porti i Durrësit mbetet një nga nyjet kryesore të transportit dhe qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve në vend, një rol që konfirmohet edhe nga shifrat e publikuara së fundmi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për periudhën janar-tetor 2026.
Ministri i Infrastruktrës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke iu referuar statistikave tha se, “Porti i Durrësit vijon të shënojë rezultate pozitive në transportin detar, me rritje të volumit të mallrave dhe lëvizjes së kamionëve”.
Sipas tij, tregues dëshmojnë gjallërinë e aktivitetit portual dhe rëndësinë e tij në zhvillimin ekonomik të vendit.
Të dhënat tregojnë se, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, në terminalin e trageteve të portit të Durrësit u regjistruan 682 376 lëvizje pasagjerësh, ku 314 480 ishin hyrje dhe 367 896 dalje.
Aktiviteti portual paraqitet në rritje edhe në transportin e mallrave. Në këtë periudhë u përpunuan 897 725 tonë mallra, me një rritje prej 1,23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Ndërkohë, lëvizja e kamionëve arriti në 90 678 mjete, ose 2,72% më shumë se në janar-tetor të vitit të kaluar.
Këta tregues dëshmojnë peshën që vijon të ketë porti i Durrësit në transportin detar, në qarkullimin e pasagjerëve dhe në zinxhirin e shkëmbimeve tregtare, duke e mbajtur atë një pikë të rëndësishme lidhëse për ekonominë shqiptare. /atsh