Rrezik për sigurimin e energjisë gjatë dimrit, çka parashohin masat emergjente për energjinë për 60 ditë?
Rreziku potencial për sigurinë e furnizimit të energjisë elektrike gjatë sezonit të dimrit ka bërë që Qeveria të marrë disa masa emergjente.
Kësisoj, këto masa të Qeverisë të cilat u votuan gjatë mesnatës të së premtes pritet të jenë në fuqi për 60 ditë.
Nga këto masa, ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenci” është e obliguar të prodhojë energji elektrike nga kapacitetet e saj prodhuese.
“Obligohet Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) që ta udhëzojë “Ibër-Lepencin” të prodhojë energji, për aq sa është teknikisht e mundur, gjatë orëve të pikut dhe në secilin rast kur prodhimi i saj ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose në sigurinë e furnizimit.Obligohet furnizuesi i shërbimit universal që ta kompensojë Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenci” për prodhimin e energjisë elektrike, në përputhje me çmimin referent të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Poashtu, përmes këtij vendimi të miratuar edhe nga Kuvendi, Ministria e Ekomomisë do të themelojë dhe udhëheq Komitetin Teknik Emergjent. Në vendimi është dhënë edhe arsyetimi. Sektori i energjisë po përballet me çmime të larta të importit të energjisë elektrike. Këto zhvillime ndërlidhen me paqëndrueshmërinë e tregjeve ndërkombëtare të energjisë, si pasojë e konfliktit në Iran dhe ndërprerjeve të qarkullimit përmes Ngushticës së Hormuzit. Këto zhvillime kanë ndikuar në tregjet globale të naftës dhe gazit natyror, duke ushtruar presion mbi çmimet e energjisë elektrike edhe në tregjet evropiane dhe rajonale, përfshirë ato nga të cilat furnizohet Republika e Kosovës”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.
Por cili mund të jetë efekti i këtyre masave?
“Një masë e tillë emergjente nuk është që i ul cmimet e energjisë elektrike të cilat ne i importojmë janë cmime që janë të vendosur ne BERZH ndërkombetrare kështu është e pafuqishme, por shpresoj që do të përdoret për ridizajnim të disa prej kompetencave ndër institucionale”, tha Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjetikës.
Madje sipas ekspertit të energjetikës, kapaciteti i “Ipër Lepencit” nuk është i mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat e qytetarëve në Kosovë.
“Ai është shumë i pamjaftueshëm për më mberri me mbulu nevojën për import, ai është kapacitet ekstrem i vogël, ai mund të kryej ndonjë efekt margjinal por jo të jetë një efekt i pashëm ku qytetarët mund të kenë furnizim stabile”, vlerësoi Haxhimusa.
E sipas Qeverisë, siguria e furnizimit me energji elektrike rrezikohet edhe nga mosfunksionimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, e cila aktualisht është jashtë operimit për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx)./teve1