Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për dështime në qeverisje dhe për ulje të pritjeve të qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka thënë se pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti vazhdon ta paraqesë varfërinë si kënaqësi, ndërsa largimin e qytetarëve nga vendi si pakënaqësi me fqinjët."Pas gati shtatë vjetësh në pushtet, Kurti ende na shet varfërinë si kënaqësi, ikjen e qytetarëve si pakënaqësi me fqinjët, ndërsa dështimet në arsim e drejtësi si probleme të trashëguara".
Ai ka kritikuar gjithashtu qeverisjen në fushën e arsimit dhe drejtësisë, duke thënë se dështimet në këto sektorë po arsyetohen si probleme të trashëguara.Gashi ka veçuar edhe një deklaratë të Kurtit: “Për ata që kanë pak, kur marrin pak, është shumë”.
Sipas deputetit të LDK-së, ky është mentalitet i një pushteti që, në vend se t'i nxjerrë qytetarët nga varfëria, synon t'i mësojë ata të jetojnë me të.
“Kur nuk di çfarë t’u ofrosh qytetarëve, fillon t’ua ulësh pritjet!”, ka shkruar Gashi në reagimin e tij.