Komunat nuk kanë tokë as për varre

Komunat nuk kanë tokë as për varre

Kronika korrik 15, 2019 - 19:55
Lexo Detajet

Sa për Komunën e Vitisë, kushdo që vdesë në territorin e saj mund të mbetet përmbi dhe.

Qyteza e vogël e Kosovës që nga paslufta nuk ka asnjë metër tokë në pronësi për varreza, shkruan Gazeta inFokus.

Problemi ka lindur kur Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, që tash ka emrin Agjencia Kosovare e Privatizimit, nisi t’i marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike e shoqërore.

Objektet bashkë me pronat shoqërore në të cilat dikur kishin investuar vet komunat, i privatizoi AKM-ja.

“Të gjithë ata që vdesin në Komunën e Vitisë varrosen në pronën e AKP-së. Varrosen edhe dëshmorët në pronë të AKP-së. Ne nuk kemi asnjë pronë për varreza, problemi është i njëjtë që nga paslufta”, tregon Hasan Saliu, nënkryetar i komunës.

Ai thekson se mungesa e tokave po u shkakton atyre probleme edhe në investime, të cilat do të duhej të bëheshin në shumë pjesë të qytetit.

“Jo nuk kemi mjaftueshëm toka. Në Komunën e Vitisë e kemi problem numër një çështjen e pronësisë, për shkak se menaxhimi nga ana e AKP-së dhe drejtimi jonë prej kur jemi në qeveri komunale që po bëhen afër  gjashtë vjet, pandërprerë ju kemi drejtu me shkresa dhe nuk kemi hasë në mirëkuptim që ato prona me na i liru sepse kemi probleme për varreza, stadiumi i Vitisë, kemi problem tregun e gjelbër”, deklaron Aliu.

Vitia nuk është e vetmja në Kosovë me këtë problem.

Edhe Peja është një prej qyteteve që e ka problem me toka.

Durim Sheremeti, kryetar i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri, thotë se Peja ka rrezikuar të mbetet edhe pa varreza.

“Faktikisht Komuna e Pejës nuk ka shumë prona në emër të vetin. Kemi rreziku që të mbetemi pa varresa. Komuna e Pejës ka hasë gjithnjë në probleme sepse shumica e pronave që kanë qenë prona shoqërore janë privatizuar dhe si komunë nuk kemi pasur në dispozicion se çfarë t’u ofrojmë investitorëve, kjo është një prej problemeve që në Pejë nuk kemi shumë investime direkte të huaja”, thotë Sheremeti.

Ai tregon se komuna ka shpallur 13 prona me interes të cilat ndodhen brenda zonës urbane të qytetit, mirëpo ato janë privatizuar dhe nuk kanë pasur mundësi ta bllokojnë këtë proces.

Në këtë mënyrë, Sheremeti vlerëson se Peja ka humbur shumë.

E për varrezat, ai thotë se sipas planit e kanë bërë një zgjidhje të paktën deri në vitin 2030.

Problemi ndikoi edhe në zhvillim ekonomik

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se ky problem ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të komunave.

“Disa komuna kanë problem edhe me varreza, për shkak të mungesës së pronës komunale, kjo është shumë e theksuar, por jo vetëm për varreza, por edhe për ndërtimin e objekteve të cilat janë me interes publik si shkolla, çerdhe e të tjera. Të gjitha komunat ankohen se nuk kanë pronë të mjaftueshme komunale. Për këtë arsye përveç që ka ndikuar në moszbatimin e vendimeve të kuvendeve komunale, të cilat kanë qenë për interes publik, kanë ndikuar edhe drejtpërdrejtë në mos zhvillim ekonomik lokal”, thotë ai.

Sipas tij, komunat një prej përparësive të vetme e kanë edhe dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për bizneset të cilat kanë interesim të investojnë në komunë dhe këtë gjë për momentin shumë prej tyre nuk mund ta bëj.

Se komunat nuk kanë prona të mjaftueshme, e pranojnë edhe në ministrinë e administrimit të pushtetit lokal.

“Duke marrë parasysh që komunat kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që pronat e paluajtshme shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të adresohen në Qeverinë e Republikës së Kosovës për t’u tërhequr nga procesi i privatizimit dhe të bëhet kthimi në pronësi të komunës me qëllim të realizimit të interesit publik të komunës, mund të vlerësojmë se komunat nuk kanë pronë të mjaftueshme në komuna”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Megjithatë, një vendim i ri i qeverisë mund t’ua zgjidhë këtë problem komunave.

Qeveria ka vendosur që t’i kthejë nën administrimin e komunave pronat të cilat qeverisjet lokale i konsiderojnë me interes publik.