Edhe gruaja e Ivanoviqit kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës

Edhe gruaja e Ivanoviqit kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës

Kronika December 06, 2019 - 08:13
Detajet
Image

Milena Popoviq-Ivanoviq, bashkëshortja e politikanit të vrarë serbë Olier Ivanoviqit, ka thënë se e akuzuara për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, Silvana Arsoviq, është mike e saj dhe ka garantuar se ajo nuk ka lidhje me vrasjen. Aleksandar Ivanoviq: Menduan se do të jetë edhe një vrasje që do të harrohet shpejt, por u zhgënjyen. Vuçiqi: Wolkeri është mashtrues dhe hajn, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: As sivjet s’hiqen vizat

 

Katër ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 6 personave, të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, reagimet nuk kanë pushuar në veri të Mitrovicës. Madje edhe zyrtarë të lartë të shtetit të Serbisë, duke përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiq, vazhdojnë ta cilësojnë aktakuzën e Prokurorisë Speciale si një lojë tjetër të drejtësisë kosovare. Edhe bashkëshortja e Ivanoviqit, Milena Popoviq-Ivanoviq, ka dalë kundër aktakuzës, duke e cilësuar atë lojë, spekulim dhe manipulim. “Aktakuza për vrasjen e Ivanoviqit nuk ofron asgjë të re, krejt këto i kemi dëgjuar dhe kjo është dëshpëruese e krijon shpresë. Vetëm po sillemi në rreth, njëherë thonë se i akuzuari kryesor është Millan Radojiçiq e ai nuk gjendet në aktakuzë, paraqiten disa emra e pastaj ata emra nuk përmenden. Ka shumë gjëra jologjike, ka shumë gjëra që nuk përputhen, e të gjithë dëshirojmë dhe presim të ndërpriten spekulimet e manipulimet. Ajo që jam e sigurt se e di, unë me të i kam kaluar shumë vite bashkë, është se Silvana Arsoviqi është një mike e rrallë dhe e sinqertë dhe nuk e kam të qartë se çfarë do të thotë ky proces kundër saj. Mund të garantoj se ajo nuk ka asnjë lidhje me atë që i vihet në barrë”, ka thënë ajo, përcjell “TV Most”-i.

Zhgënjimi i atyre që menduan se do të jetë edhe një vrasje, e cila do të harrohet shpejt

Ndërkaq vëllai i Oliver Ivanoviqit, Aleksandar Ivanoviq, ka shprehur mendimin e tij se ata që kryen vrasjen kanë menduar se do të jetë edhe një vrasje që do të harrohet shpejt, por në fund u zhgënjyen. “Mendoj se ata njerëz, të cilët kanë vendosur në këtë mënyrë ta eliminojnë Oliverin, kanë menduar se do të jetë vetëm edhe një vrasje tjetër në Kosovë, e cila do të harrohet shpejt. Unë besoj se ata u zhgënjyen fort, për arsye se jo vetëm opinioni në Serbi, por edhe publiku në gjithë rajonin pret të njoftohet se kush e ka urdhëruar vrasjen. Pikërisht kjo vërejtje e opinionit dhe dëshira që të dihet kush është ai që ka marrë vendimin ‘kush mund të jetojë e kush jo’ në një mënyrë na garantojnë se kjo vrasje nuk do të harrohet dhe të mbetet anash”, ka thënë Ivanoviqi për “N1”-shin. Ai ka përkujtuar se Oliveri ka kërkuar, në momentin kur i është djegur vetura, pasi ka parë se nga ndërtesa e miqve komshinj mbulohet ai kënd, të shihet se kush e ka djegur veturën. Njeriut të cilit i është drejtuar dhe i ka kërkuar nuk ka guxuar t’ia japë incizimin, nuk ka guxuar njeriu ta japë incizimin, sepse e ka parë kush është në të, kush e ka bërë atë e as Policia pas kësaj nuk ka ardhur për ta kërkuar incizimin”, ka sqaruar vëllai i Ivanoviqit të vrarë, Aleksandar Ivanoviq. Ai ka rekomanduar dhe ka kërkuar të vërtetohen të gjitha rrethanat e asaj që ka ndodhur: “kush ia dogji veturën, kush ia dogji zyrat, cili serb i ka hyrë në banesë dhe me urdhëresë të kujt, i cili ka thyer orenditë para një fëmije dhe ka kërcënuar të bëjë atë ose këtë, kush janë ata njerëz? Ne duhet të dimë kush e ka përcjellë fshehtas dhe nga vetura e ka incizuar Oliverin, pastaj ky incizim është shfrytëzuar si fushatë dhe është emituar në ‘TV Most’. Pra kush janë ata njerëz dhe ku ishin ata ditën kur është vrarë Oliveri?”, ka pyetur Aleksandar Ivanoviqi, vëllai i Oliver Ivanoviqit.

Shpifja për vdekjen e sekretares së Ivanoviqit

Në anën tjetër Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e IQ “Serbia, Drejtësia, Demokracia” – SDP, ka deklaruar se të gjithë ata që shpifën se në rrethana misterioze ka vdekur Silvana Arsoviq, sekretarja e Oliver Ivanoviqit, njëri prej të akuzuarve për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, do të paditen. “Posa kam dëgjuar këtë lajm kam shkuar që vetë të shoh se çfarë ka ndodhur dhe të shoh se si është Silvana. Gjendja e saj nuk ka qenë e mirë, por është gjallë. Mendoj se ky lajm i rrejshëm për vdekjen e saj është edhe një formë e presionit ndaj saj, për këtë arsye ata që kanë publikuar këtë lajm të rrejshëm duhet të tregojnë se prej nga e kanë marrë atë informacion, nëse jo neve, atëherë organeve të drejtësisë. Ne në SDP këtë e kemi kuptuar si vërejtje, mos e dhëntë Zoti që diçka e keqe t’i ndodhë Silvanes, sepse ata do të përgjigjen për këtë dhe posa të shërohet Silvana do të ngre padi ndaj tyre”, ka thënë Bozhoviqi, e cila, siç shkruajnë mediet lokale serbe në veri, ka përkujtuar se me vite është duke u ushtruar presion psikologjik ndaj Silvana Arsoviqit, jo vetëm nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por edhe nëpërmes deklaratave të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, sekretarja e liderit të vrarë të SDP-së, Silvana Arsoviq, ishte shtruar të mërkurën në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Veriut, në Njësinë Koronare të Klinikës Interene, për shkak të problemeve shëndetësore si pasojë e tensionit të lartë të gjakut. //ZERI