Katër raste të dhunës ndaj gruas gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë

Katër raste të dhunës ndaj gruas gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë

Kronika May 30, 2020 - 10:26

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ku përfshihen të gjitha ngjarjet e raportuara në vendin tonë, ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje.

Sipas këtij raporti, një rast i dhunës ka ndodhur dje në Fushë-Kosovë, ku një femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Ankueses i është dashur të marrë tretman mjekësor pas lëndimeve të marra.

Siç thuhet në këtë raport, prokurori ka vendosur që pas intervistimit të lirohen palët dhe rasti të vazhdojë me procedurë të rregullt, përcjell “Zëri”.

Në anën tjetër, në qytetin e Ferizajt, me datë 27 maj është raportuar për një rast dhune ku një femër po ashtu është sulmuar nga i dashuri i saj. Ndërsa pas intervistimit të djeshëm nga prokurori, dy palët janë liruar.

Në Mitrovicë, Policia e Kosovës dje ka arrestuar një person për ushtrim të dhunës ndaj gruas së tij.

Viktima pas lëndimeve që kishte marrë nga sulmi fizik i bashkëshortit është dashur të trajtohet nga mjekët.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Në Vushtrri, janë arrestuar dy meshkuj dhe një femër, të cilët e kishin sulmuar fizikisht një femër tjetër.

Të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje./ZËRI