Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për të dyshuarin për fajde

Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për të dyshuarin për fajde

Kronika June 05, 2020 - 14:46

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga gjykata kompetente në Gjilan caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit F.D., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

Pas arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës ditën e djeshme, për të njëjtit persona Prokuroria Themelore në Gjilan sot ka dhënë detaje në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Fajde”, përcjell “Zeri.info”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari F.D., duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë materiale të të dëmtuarit E.I., në periudha të ndryshme kohore të njëjtit i ka dhënë para me fajde, në vlerë prej 226.000.00 euro, me qëllim që pastaj t’ia kërkonte me kamatë prej 30%, me ç’rast vlera e përgjithshme, sipas marrëveshjes që i dëmtuari kishte për t’ia kthyer të dyshuarit, ishte 294.800.00 euro”, thuhet në njoftim.

I dyshuari, me vendim të prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.