Aktakuzë ndaj një personi, solli armë nga Maqedonia në Kosovë për një grup kriminal

Aktakuzë ndaj një personi, solli armë nga Maqedonia në Kosovë për një grup kriminal

Kronika July 07, 2020 - 16:53

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi të akuzuar për veprat penale “Pjesëmarrje dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Siç thuhet në komunikatë dhe bazuar në aktakuzë, M.F deri më tani ishte i paaftë për përballje me gjykimin.

Ai akuzohet se aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të një grupi, ani pse e ka ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale. I njëjti me vetëdije, bashkë grupin, kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municion të ndryshëm, nga Maqedonia e Veriut për në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Sipas aktakuzës për të pandehurin M.F., i cili deri më tani ishte i paaftë për t’u përballur me gjykimin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore/mendore, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në dy periudha të caktuara kohore, më saktë gjatë periudhës kohore prej 01.07.2013 deri me 23.11.2013 dhe gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datë 24.07.2019, me dashje dhe me dije, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe duke vepruar së bashku me të pandehurit tjerë me vetëdije kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municion të ndryshëm, nga Maqedonia e Veriut për në pjesë të ndryshme të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri M.F. ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprat penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit./Zëri