Biznesmeni Rrustem Rukolli shpallet fajtor për aktivitete të jashtëligjshme minerare, dënohet me 3,600 euro gjobë

Biznesmeni Rrustem Rukolli shpallet fajtor për aktivitete të jashtëligjshme minerare, dënohet me 3,600 euro gjobë

Kronika June 16, 2021 - 15:16

Biznesmeni Rrustem Rukolli është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale, aktivitete të jashtëligjshme minerare.

Ai është dënuar me 3,600 euro gjobë për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën nga gjykatësja Lumnije Krasniqi.

Po ashtu, gjykata e obligoi të akuzuarin Rukolli që në emër të paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 50 euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11 maj 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Rrustem Rukollit të cilin e akuzon se ka kryer veprat penale të sanksionuar me dispozitën e nenit 80 të Ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet si dhe me nenin 49 të Ligjit Nr.04/L-158 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet.

Në aktakuzë thuhet se më 10 tetor 2017, gjatë inspektimit të aktiviteteve të jashtëligjshme minerare nga inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është konstatuar se N.N “R&Rukolli” Sh.p.k, me pronar, personin përgjegjës Rrustem Rukolli, me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore ka ushtruar aktivitet të jashtëligjshëm minerar, ashtu që pa leje për aktivitete të veçanta nga organi kompetent i KPMM-së, ka bërë në lokacionin e objektit minerar, fabrikën për prodhimin e betonit në zonën industriale të Komunës së Prishtinës.