Aktakuzë ndaj një qytetari në Prizren për falsifikim të parasë

Aktakuzë ndaj një qytetari në Prizren për falsifikim të parasë

Kronika October 20, 2021 - 11:50

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit A.K. për shkak të falsifikimit të parave.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari A.K., më 24 shtator, duke e ditur se paraja është e falsifikuar, e kishte vënë në qarkullim si të vërtetë.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari A.K., më 24.09.2021, rreth orës 13:30, në rrugën ‘William Walker’ në Prizren, me dashje - duke e ditur se paraja është e falsifikuar, pranon dhe posedon të njëjtën, me qëllim që më pas ta vërë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që, derisa i njëjti ishte duke drejtuar automjetin e markës ‘VW Lupo’ ndalohet nga Policia e Kosovës tek i cili gjejnë 4 (katër) kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind eurove), në total 400 € (katërqind euro), të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, me ç’rast të njëjtat edhe ia sekuestrojnë përkohësisht”, thuhet në njoftim.

I akuzuari të njëjtën vepër e kishte përsëritur edhe dy hera të tjera.

“Po ashtu, i akuzuari A.K., gjatë periudhës së vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, me dashje - duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtën, me qëllim që më pas ta vërë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që fillimisht ia dorëzon një kartëmonedhë në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) të dëmtuarit E.S., i cili është pronar i subjektit juridik, ashtu që ky i fundit më 02.07.2021, në njërën prej bankave në Prizren, deponon një shumë të konsiderueshme parash të pazarit ditor, në mesin e të cilave ishte edhe kartëmonedha e falsifikuar, për të cilën i dëmtuari nuk e ka ditur se është e falsifikuar, me ç’rast pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë të datës 20.09.2021 është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) është falsifikim i plotë. Gjithashtu, i akuzuari A.K., më 03.09.2021, në biznesin familjar – pronë e të dëmtuarit M.A., me dashje - duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon me qëllim që më pas ta vërë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që futet në dyqanin në fjalë dhe me anë të një kartëmonedhe në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) blen 3 (tri) pako cigare, ashtu që dëshmitarja F.A. pranon kartëmonedhën nga i pandehuri dhe ia kthen kusurin dhe me të pranuar kusurin largohet nga vendi i ngjarjes me veturën e tij të markës ‘VW Lupo’, me ç’rast pas pranimit të Raportit të Ekspertimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë të datës 23.09.2021 është vërtetuar se kartëmonedha në shumën prej 100 € (njëqind eurosh) është falsifikim i plotë”, bën të ditur Prokuroria.

Me këto veprime i dyshuari A.K. ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Zëri