Ia vuri zjarrin barit të thatë dhe dogji 100 hektarë tokë, arrestohet 60-vjeçari në Divjakë

Ia vuri zjarrin barit të thatë dhe dogji 100 hektarë tokë, arrestohet 60-vjeçari në Divjakë

Kronika August 09, 2022 - 11:28

Një person është arrestuar në Divjakë, nën dyshimin se ka djegur mbi 100 hektarë tokë.

Sipas Policisë, 60-vjeçari i vuri flakën barit të thatë, por që zjarri doli jashtë kontrollit duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore pranë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë dhe të Forcës së Posaçme 'Shqiponjat' në DVP Fier, me marrjen e njoftimit për zjarrin e rënë në tokat bujqësore dhe në disa sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të banorëve të fshatit Biçukas, menjëherë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës duke punuar me mjete të ndryshme rrethanore, për të bërë të mundur neutralizmin e flakëve, që për shkak të erës u përhapën me shpejtësi në sipërfaqe të mëdha toke, pasi në shumë drejtime zjarrfikësja nuk futej dot për shkak të terrenit të vështirë”.

Nga ky zjarr janë djegur qindra rrënjë ullinj, një sipërfaqe e madhe toke me shkurre dhe pemë frutore, si edhe janë rrezikuar banesat e banorëve të këtyre fshatrave.